Dhoma e Ulët e Parlamentit italian ka miratuar reformën e propozuar nga qeveria e kryeministres Giorgia Meloni për ndryshimin e sistemit zgjedhor, një nismë që ka shkaktuar debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës.
Reforma parashikon kalimin në një sistem tërësisht proporcional, ku koalicioni që siguron mbi 42% të votave do të përfitojë një bonus mandatesh për të garantuar shumicën parlamentare. Sipas projektit, fituesit do t’u shtohen 70 vende në Dhomën e Ulët dhe 35 vende në Senat, por me kufizime për të shmangur shumica shumë të mëdha.
Qeveria e Melonit argumenton se ndryshimet do të sjellin më shumë stabilitet politik dhe do të garantojnë që zgjedhjet të prodhojnë një shumicë të qartë qeverisëse. Ndërkohë, opozita e ka kundërshtuar reformën, duke e cilësuar si një përpjekje për t’i dhënë avantazh koalicionit të djathtë në zgjedhjet e vitit 2027.
Projektligji duhet të marrë ende miratimin e Senatit përpara se të hyjë në fuqi. Debati për reformën ka nxjerrë në pah edhe tensionet brenda koalicionit qeverisës, ndërsa rritja e një partie të re të djathtë, e drejtuar nga ish-gjenerali Roberto Vannacci, ka shtuar pasigurinë për garën e ardhshme elektorale.