Aktualitet

Ministria e Brendshme: “Nuk ka kampe emigrantesh në Shqipëri”

Ministria e Brendshme rikonfirmon se “Ndërtimi i kampeve për emigrantë nuk është çështje në shqyrtim apo në diskutim”. Sipas Ministrisë “Askush nuk e ka kërkuar deri më sot dhe askush nuk e ka ofruar një gjë të tillë”. Ky dikaster reagoi për të sqaruar deklaratat e zv.ministrit Julian Hodaj, i cituar në një kronikë të Televizionit Gjerman, ZDF, të transmetuar dje. I pyetur se “Çfarë mund të bënte Shqipëria në kushtet e një emergjence emigrantësh?”, Hodaj tha se “Vendi ynë e ka treguar gjatë Luftës së Kosovës se është në gjendje të përballojë këto emergjenca”. Ministria e Brendshme kujdeset të nënvizojë se “Përgjigjja lidhet me një situatë hipotetike humanitare emergjence, si ajo e luftës së Kosovës ku pati angazhim shtetëror e popullor, jo mbi diskutimin nëse mund të ndërtohet ose jo, një kamp në Shqipëri”.