Aktualitet Travel

“Mirror”: Vlora, qytet i mrekullueshëm/Krahasimi me Costa del Sol!

Vlora në Shqipëri është e ngjashme me Costa del Sol-in e Spanjës. Ofron mot të ngrohtë e pamje idilike dhe duhen pak më shumë se tre orë për të mbërritur atje nga Britania e Madhe”, shkruan Ashley Bautista për të përditshmen britanike “Mirror”.

Disa xhevahire më pak të njohur të Europës po tërheqin turistët falë diellit, detit dhe peizazheve mahnitëse këtë pranverë e verë. Zakonisht, Spanja, Franca dhe Italia mbeten destinacionet kryesore, por vendpushimet dhe brigjet e njohura të Spanjës po përjetojnë një fluks vizitorësh çdo vit. Shumë turistë janë në kërkim të disa vendeve më të qeta për një pushim.

Vlora, një qytet i mrekullueshëm

Më pak e mbushur me njerëz ndërkohë që ofron plazhe të bukura dhe peizazhe piktoreske, Vlora është vendi i përsosur për të shijuar ditët me diell këtë pranverë dhe verë. Eshtë qyteti i tretë më i populluar në Shqipëri, i vendosur në pjesën jugore të vendit dhe i rrethuar nga ultësirat e Maleve të Vetëtimës përgjatë brigjeve të deteve Adriatik e Jon.

Ky qytet i bukur ofron të gjitha kushtet për pushime ëndrrash me temperatura që variojnë nga 15 gradë Celsius deri në 23 gradë Celsius, me motin që pritet të bëhet shumë më i ngrohtë në javët e ardhshme dhe që është vetëm tre orë e 10 minuta larg nga aeroporti i Londrës.

Edhe gastronomia ka fituar popullaritet, pasi ndërthur shijet tradicionale shqiptare me ndikimet mesdhetare e italiane. Gatimet e njohura përfshijnë byrek, fërgesë, tavë kosi, qifqi, shëndetli, raki, pite, bakllava dhe varietete të mishit e prodhimeve të detit.

Aktivitetet që mund të bëni në Vlorë

Vlora njihet për plazhet e saj mahnitëse. Ujërat janë të pastra kristal e ka shumë restorante dhe kafene rreth bregut për vendasit dhe vizitorët. Plazhet më të njohura janë Plazhi i Vjetër, i Radhimës dhe i Orikumit me pamje nga deti Jon.

Gjithashtu, vizitorët mund të eksplorojnë Monumentin e Pavarësisë dhe Sheshin e Flamurit, që njihen si vendet ku Shqipëria shpalli pavarësinë nga Perandoria Osmane në vitin 1912. Shëtitorja e Vlorës ofron gjithashtu pamje mahnitëse të detit dhe është vendi i përsosur për të shëtitur dhe shijuar atmosferën mesdhetare.

Një nga monumentet më të famshme në Vlorë është Xhamia e Muradies, që daton në shekullin XVI, e njohur për arkitekturën e saj osmane. Gjithashtu, turistët mund të vizitojnë Manastirin e Zvërnecit, tjetër vend fetar. Për ata që janë më aventurierë, aktivitete të tjera përfshijnë udhëtime me varkë në ishullin e Sazanit dhe Gadishullin e Karaburunit, vende perfekte për të eksploruar shpellat e fshehura, për të bërë zhytje dhe not.

Sidoqoftë, çmimet mund të rriten gjatë pikut të sezonit turistik. Midis qershorit dhe gushtit, mund të shkojnë deri në 316 paund. Për turistët që ende janë në mëdyshje se ku duhet të kalojnë pushimet, Vlora premton një atmosferë të shkëlqyer larg zhurmës dhe kaosit të qytetit. Gjithashtu, ky qytet bregdetar është më pak i mbushur me turistë krahasuar me destinacionet e tjera të pushimeve dhe kujt nuk do t’i pëlqente një arratisje më e qetë?