Aktualitet

Momente paniku në Ranën e Hedhun, nënë e bir rrezikojnë mbytjen!

Një ngjarje e rëndë është shmangur këtë të hënë në plazhin e Shëngjinit, ku një nënë dhe djali i saj i mitur rrezikuan të mbyteshin në det.

Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur në zonën e njohur të “Ranës së Hedhun”, ku nënë e bir kishin hyrë për t’u larë. Në rrethana që po verifikohen, ata kanë hasur vështirësi në ujë dhe kanë rrezikuar jetën.

Falë reagimit të menjëhershëm të rojeve bregdetare, ndihmës së disa pushuesve që ndodheshin pranë si dhe ndërhyrjes së shpejtë të ekipit të urgjencës spitalore, është bërë i mundur nxjerrja e tyre nga deti dhe dhënia e ndihmës së parë.

Burime nga shërbimi shëndetësor bëjnë me dije se të dy kishin konsumuar sasi të konsiderueshme uji, por fatmirësisht janë shpëtuar në kohë.

Aktualisht, nënë e bir po marrin trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Lezhës, ndërsa gjendja e tyre paraqitet e stabilizuar dhe parametrat jetësorë janë të qëndrueshëm.