Bota

Momenti trishtues, një fëmijë i dorëzohet ushtarëve amerikanë për t’i shpëtuar tmerrit të talebanëve!

Teksa situata në Kabul vazhdon të jetë e nderë, me talebanët që tashmë kanë marrë në dorë udhëheqjen, jeta e shumë afganëve vijon të jetë në rrezik. Në dy qytete të vendit në Afganistan, protestues të shumtë kanë dalë nëpër rrugë e kanë ngritur flamurin qeveritar ndërsa talebanët i janë përgjigjur me breshëri plumbash. Frika qëndron në rregullat strikte që ata do të vendosin, që prekin kryesisht gratë. Kur talebanët kanë qenë për herë të fundit në pushtet, gratë, nuk lejoheshin të dilnin vetëm nga shtëpitë, të dilnin në rrugë të zbuluara apo të shkollohen.

Së fundmi, talebanët kanë qëlluar me armë zjarri ndaj civilëve në qytetin Jalalabad. Sipas mediave të huaja, si pasojë kanë mbetur të vdekur 2 persona. Mësohet se qytetarë të shumtë janë mbledhur në rrugët e qytetit dhe kanë protestuar kundër qeverisë së re. Shumë afganë po përpiqen që të largohen nga vendi.

Tashmë janë bërë virale disa pamje shumë të trishta në aeroportin e Kabulit, ku një fëmijë i është dorëzuar ushtarëve amerikanë për ta shpëtuar dhe për ta larguar nga rreziku që i kanoset me ardhjen e talebanëve në pushtet. Teksa mijëra qytetarë afganë dhe shtetas të tjerë që ndodhen në Afganistan po përpiqen të largohen me aeroplanët e shpëtimit, këto pamje të kapura nga momentet ku ata duan të largohen nga vendi janë shumë të trishta.

Aeroporti i Kabulit është bërë mënyra e vetme e shpëtimit dhe si rrugë dalje nga vendi, pasi talebanët kanë mbyllur çdo kufi. brenda mureve të aeroportit, më shumë se 4000 trupa ushtarakë amerikanë kanë kontrollin përkohësisht. Ndërkohë që jashtë tyre, talebanët e armatosur rëndë po rrethojnë perimetrin, duke shkaktuar një ndjenjë frike tek të gjithë.