Bota

Monedha virtuale BitCoin në nivel rekord, ja me sa dollarë këmbehet ajo!

Bitcoin shënon nivele rekord të rritjes që prej zgjedhjes së Donald Trump si president i SHBA-së. Investitorët ia atribuojnë pikërisht këtij momenti rritjen e vrullshme të monedhës virtuale, e cila njeh vetem rritje që prej zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çmimi i monedhës virtuale BitCoin sot është 98.364,96 USD, shifra më e lartë historike e saj. Tregtarët mendojnë se presidenti i rizgjedhur Donald Trump do të mbështesë asetet digjitale dhe kjo do të çojë drejt një regjimi rregullator më të lehtësuar.

Për të dytën herë, paralajmërimi i Bill Gates për investitorët në Bitcoin ka dalë në pah pas një rritjeje të menjëhershme të vlerës së kriptomonedhës, e cila u regjistrua pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së. Trump, që është një mbështetës i kriptomonedhës, edhe pse i ri në këtë fushë ka premtuar të mbajë rezervat federale të Bitcoin (BTC), duke u angazhuar që të bëjë Amerikën “kapitalin botëror të kriptomonedhave”.

Ndërkaq, kriptovaluta “Dogecoin”, logo e të cilës është një qen ka përjetuar rritje që kur Donald Trump u shpall fitues i zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Ajo po vazhdon të rritet. Trump ka emëruar Elon Muskun, si një nga drejtuesit e “Departamentit për Efiçencë Qeveritare”, që nuk është një agjenci qeveritare dhe ka marrë akronimin “DOGE”.

Dogecoin është një kriptovalutë, që fillimisht u krijua si shaka. Por, me kalimin e kohës “Dogecoin” ka fituar numër të madh të adhuruesve të cilët në mënyrë periodike e kanë rritur çmimin e tij. Ashtu si kriptovalutat e tjera, mbështetësit thonë se mund të përdoret për të blerë e shitur gjëra në internet, pa pasur nevojë të shqetësohen nëse një bankë qendrore apo qeveria do të ndikojë në numrin se sa janë në qarkullim.