Monika Kryemadhi është marrë zyrtarisht e pandehur nga SPAK për “korrupsion”, “pastrim të parave” dhe “fshehje e mosdeklarim pasurie”.
Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Kryemadhi u shpreh se akuzat janë të njëjta dhe se tashmë do të fillojnë përballjen në gjyq, ndërsa ka ironizuar edhe me një ndërhyrje mjekësore të kryer disa vite më parë. “Sipas SPAK-ut për heqjen e mitrës kam bashkëpunuar me Ilir Metën”, u shpreh Kryemadhi.
Ajo deklaroi se dosja është voluminoze, ndërsa për zgjatjen e hetimeve deri në tetor, shprehu bindjen se do të përfundojnë më shpejt, me argumentin se përfundojnë afatet.
“Është e njëjta gjë që ka qenë që në tetor. Do të kemi edhe një thirrje tjetër. Janë të njëjtat akuza. Sipas SPAK për heqjen e mitrës kam bashkëpunuar me Ilir Metën.
Dosja është voluminozeve, kërkova fashikujt, më tha se do të ma japin shumë shpejt. Është ajo që ne themi gjithmonë. Tashmë do ta fillojmë ballafaqimin në gjykatë.
Mendoj se prokurorët po presin dy tre gjëra të vogla dhe do ta mbarojnë. Mbarojnë edhe afatet sepse padia për CEZ-DIA më thanë se është bërë në shtator të 2017”, tha ajo.
Ajo shtoi gjithashtu se nuk kishte mundur të takohej me ish-bashkëshortin, Ilir Meta, pasi ai nuk ishte sjellë në sallën e gjyqit.
“Dëgjova madje edhe një sherr mes prokurorit dhe drejtorisë së burgjeve. Por nuk e sjellin pa urdhrin e Edi Ramës”, tha ish-kryetarja e LSI-së.
E pyetur si ndihej tashmë që u mor e pandehur, Kryemadhi u përgjigj: “Sfidat për mua janë me opinionin publik dhe me Zotin”.
“Sfidat për mua janë me opinionin publik dhe me Zotin. Për mua drejtësia njerëzore është një moment, drejtësia hyjnore është ajo që duhet ta kemi frikë të gjithë. Mos mendoni se jeta ime e më përparshme është më e mirë sot. Shijoni momentin”, tha Kryemadhi.