Bota

Moska kundër trupave të NATO-s në Ukrainë: Përbëjnë kërcënim për Rusinë!

Moska zyrtare hedh poshtë praninë e trupave të NATO-s në Ukrainë, edhe pas një marrëveshjeje të mundshme paqeje me Kievin. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në Vladivostok, i cituar nga agjencia ruse Interfax, deklaroi:

Ne do ta konsideronim si kërcënim për veten tonë, praninë e forcave ndërkombëtare apo të çdo force të huaj, ose të forcave të NATO-s në tokën ukrainase, pranë kufirit tonë.

Peskov vuri në dukje se NATO e sheh Rusinë si armike dhe kjo shprehet qartë në dokumentet e saj.

Diçka e tillë është e rrezikshme për vendin tonë, theksoi ai.

Sa i përket diskutimeve mbi garancitë e sigurisë, ato nuk mund të jenë vetëm për Ukrainën, shtoi zëdhënësi, duke vënë në dukje se edhe Rusia ka nevojë për garanci për sigurinë e saj.

Peskov nënvizoi se lufta kundër Ukrainës, e cila zgjat prej më shumë se tre vjetësh e gjysmë, ka rrënjët e saj edhe në zgjerimin e NATO-s deri në kufijtë e Rusisë.

Siguria e Ukrainës, e cila synon të anëtarësohet në NATO, nuk duhet të garantohet në kurriz të Rusisë, u shpreh Peskov, duke iu referuar takimit të djeshëm të të ashtuquajturit “Koalicioni i të vullnetshmëve” në Paris.

Në bisedime, shumë shtete anëtare të NATO-s shprehën gatishmërinë e tyre për të vendosur trupa në Ukrainë, për ta mbrojtur vendin nga agresioni i përsëritur i fqinjit të saj pas një armëpushimi ose marrëveshjeje paqeje të mundshme me Rusinë.

Ju nuk mund të garantoni sigurinë e një vendi duke shkatërruar sigurinë e një tjetri. Kjo nuk do të na ndihmojë të afrohemi me një zgjidhje të konfliktit në Ukrainë, tha Peskov.