Bota

Donald Trump i bën presion Evropës për naftën ruse!

Duket se Donald Trump mori qëndrim më të ashpër me mbështetësit kryesorë evropianë të Kievit, duke u thënë se duhet t’i bëjnë më shumë presion financiar Rusisë dhe aleates kryesore, Kinës, për ta detyruar Kremlinin t’i japë fund luftës në Ukrainë. Kjo u deklarua nga një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, i cituar nga Reuters.

Udhëheqësit evropianë e ftuan presidentin amerikan në takimin e Koalicionit të Vullnetit. Trump theksoi se Evropa duhet të ndalë blerjen e naftës ruse që po financon luftën pasi Rusia mori 1.1 miliardë euro nga shitjet e karburanteve për Bashkimin Evropian brenda një viti.

Zyrtari i Shtëpisë së Bardhë shtoi se gjatë një bisede telefonike, Trump vuri në dukje se “udhëheqësit evropianë duhet të ushtrojnë presion ekonomik mbi Kinën për financimin e përpjekjeve të luftës të Rusisë”.

Trump, i cili foli me udhëheqësit evropianë pas mbledhjes në Paris, nuk komentoi drejtpërdrejt takimin në kryeqytetin francez. Kur nga gazetarët u pyet nëse planifikonte të fliste me presidentin rus, Vladimir Putin, në të ardhmen e afërt, pohoi:

Po, do ta bëja.

Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, Evropa ka tentuar të ulë varësinë që ka nga Rusia sa i përket furnizimeve me energji. Komisioni Evropian propozoi legjislacion për të hequr gradualisht importet e naftës dhe gazit rus nga BE-ja, deri më 1 janar 2028.

Hungaria dhe Sllovakia, shtete që udhëhiqen nga liderë nacionalistë, me lidhje të ngushta me Kremlinin, kanë vazhduar të importojnë produkte energjetike ruse, pavarësisht përpjekjeve të BE-së për diversifikim.

Deklaratat e Shtëpisë së Bardhë erdhën pasi presidentit francez, Emmanuel Macron, tha se 26 vende u pajtuan që të merrnin pjesë në garancitë e sigurisë që do t’i ofroheshin Ukrainës pas përfundimit të luftës, duke shtuar se mbështetja e SHBA-ve për këtë plan do të finalizohet në ditët në vijim.

Udhëheqës nga rreth 30 vende aleate perëndimore të Ukrainës u takuan me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të diskutuar garancitë për vendin e shkatërruar nga lufta, pas një marrëveshjeje të mundshme paqeje me Rusinë që do t’i jepte fund konfliktit më të madh e më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Macron shtoi se disa vende të këtij koalicioni ende po finalizojnë planet e tyre. Koalicioni, që iu bashkua bisedimeve në Paris, përfshiu rreth 30 shtete që mbështesin Ukrainën, kryesisht nga Evropa. Por, në takim ishin edhe Kanadaja, Australia e Japonia.