Aktualitet

Moti i keq pezullon lundrimin në Vlorë!

Autoriteti Portual i Vlorës njoftoi se në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë datave 23-25 mars, janë ndërmarrë masa për parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike.

Autoriteti Portual kërkoi bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.

Për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike “është ndaluar pajisja me leje-nisje e mjeteve te vogla lundruese dhe atyre të peshkimit, të cilat operojnë në det të hapur duke filluar nga ora 06:00 datë 23 mars. Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë pas orës 08:00 të datës 25 mars.

Sipas Autoritetit Portual “të gjithë drejtuesit e mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit që operojnë brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës të marrin në konsideratë kushtet hidrometeorologjike dhe marrjen e masave për sigurimin e tyre”.

Lëvizja e anijeve të transportit ndërkombëtar detar për pasagjerë dhe automjete në linjën Vlorë – Brindisi – Vlorë, anulohet deri në përmirësimin e kushteve hidrometeorologjike detare, që do të jetë pas orës 22:00 të datës 24.03.2025.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se për sot, vendi ynë ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme për shkak të masave ajrore relativisht të thata, me origjinë jugperëndimore. Moti vijon me vranësira mesatare deri të dendura, si dhe kthjellime të herëpashershme.

Në pjesën e parë të ditës, vranësirat pasohen nga reshje shiu me intensitet të ulët, fillimisht përgjatë vijës bregdetare, duke prekur më pas pjesën më të madhe të territorit. Nga orët e mesditës e pasdite, hera-herës, reshjet bëhen me intensitet deri mesatar, në formën e shtrëngatave afatshkurtra, kryesisht në qendër e pjesërisht në jug. Në relievet e larta malore në juglindje të territorit bie dëborë me intensitet të ulët.

Era fryn me drejtim verilindje-juglindje e me shpejtësi mesatare 5-10 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore, fiton shpejtësi 14-24 m/s, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 3-4 ballë.