Sport

Moviola e Partizani-Tirana/ Olsid Ferataj, me vendime të drejta!

Derbi i kryeqytetit është përsëri i kuq. Partizani ka fituar me shifrat 2-1 me përmbysje sfidën e ethshme në “Air Albania”, duke siguruar një rezultat të rëndësishme që e ngjit në vendin e dytë ndërsa rrezikon vendin në katërshe të bardhebluve. Sfida ka qenë mjaft interesante, e ndezur sidomos nga një gol i shpejtë i Tiranës që goditi me mundësinë e parë që iu dha me Latifin. Por me kalimin e minutave, Partizani kërkoi me ngulm golin, duke e gjetur atë falë një penalltie të shkaktuar nga portieri Abdullahu, i cili bëri një gabim në largimin e topit. Një tjetër përgjumje në prapavijën e bardhebluve solli edhe golin e Carës para fundit të pjesës së parë për përmbysjen e Partizanit, i cili më pas e kishte shumë më të thjeshtë të administronte rezultatin. Një shtyllë e goditur nga Lushkja në pjesën e dytë ishte shumë pak për skuadrën e Ahmatajt, e cila me mungesa të mëdha dhe thuajse vetëm me të rinj në stol, u mundua të rrezikonte, pa shumë sukses. Kështu, në vërshëllimën përfundimtare, Partizani mori tre pikë të merituara që e shtyjnë në vendin e dytë në renditje. Ndërsa Tirana tani mund të arrihet nga Dinamo dhe rrezikon vendin mes katër skuadrave që do të luftojnë për titullin. Partizani shkon në kuotën e 40 pikëve, duke iu shkëputur Vllaznisë që luan të shtunën me Egnatian. Më shumë se për renditjen, fitorja në derbi mund të shërbejë dhe si një pikë kthese për të kuqtë, siç ndodh zakonisht pas një suksesi të tillë ndaj rivalit të përjetshëm. Tirana mbetet në kuotën e 34 pikëve dhe ndjen rrezikun e daljes nga 4-shja e parë, pasi Dinamo është shumë pranë.

Nga ana tjetër, disenjatori i arbitrave, Sokol Jareci, surprizoi në derbin e djeshëm, duke ia besuar gjykimin arbitrit nga Patosi, Olsid Ferataj. Kjo zgjedhje hoqi edhe “mitin” e stemave të FIFAs në Partizani-Tirana, pasi Ferataj justifikoi gjithçka (arbitri nuk është ndërkombëtar). Vendimet ishin të drejta, ndërsa pati vetëm dy raste për moviolë. Në VAR ishin Kreshnik Bajramaj dhe Kreshnik Cjapi, ndërsa si anësorë Rejdi Avdo dhe Arbër Zalla. 30’+31’ Portieri i Tiranës, Mustafë Abdullahu, në përpjekje për të larguar topin nga zona, ndërhyn me një kohë vonesë dhe pengon Skukën, që prek i pari “sferën”. Arbitri Ferataj akordon direkt penallti për Partizanin, ndërsa edhe pamjet filmike i japin të drejtë. 56’ Abazaj rrëzohet në duel me Atanaskoskin dhe kërkon penallti. Arbitri Ferataj vijon lojën, ndërsa edhe VAR konfirmon vendimin e tij. Pamjet filmike tregojnë se kemi kontakt mes mbrojtësit dhe sulmuesit të Tiranës, që ka humbur ekuilibrin dhe më pas është rrëzuar në zonë. Mirëpo, nëse Ferataj do të jepte faull, ai nisi jashtë zone.