Botë e Çuditshme

Mumia 700-vjeçare zbulon gjurmët më të hershme të streptokokut në Amerikë!

Duke përdorur analizën e ADN-së së lashtë, studiuesit kanë identifikuar praninë e bakterit Streptococcus pyogenes (streptokoku i grupit A) në një mumie 700-vjeçare nga Bolivia, duke konfirmuar se infeksionet e streptokokut ekzistonin në Amerikë përpara ardhjes së evropianëve. Lloji i zbuluar është i ngjashëm me variantet moderne që shkaktojnë dhimbje fyti dhe ethe të kuqe. Kjo është hera e parë që streptokoku i grupit A identifikohet në mbetje arkeologjike.

“Nuk po kërkonim specifikisht këtë patogjen. Kur analizojmë mumjet, shqyrtojmë jo vetëm ADN-në njerëzore, por edhe mikroorganizmat e pranishëm”, tha Frank Maixner, drejtor i Institutit për Studimin e Mumieve në Itali dhe bashkë autor i studimit të publikuar në revistën Nature Communications. Studiuesit po analizonin mbetje të mumifikuara natyrshëm të gjetura në “chullpa”, kulla funerale të lashta në pllajën Ande në Bolivia. Këta individë janë varrosur gjatë periudhës 1000–1450, pas rënies së civilizimit Tiwanaku dhe para ngritjes së Perandorisë Inka.

Kur analizuan një mumie të veçantë, një mashkull i ri që jetoi midis viteve 1283 dhe 1383, ata zbuluan ADN nga disa baktere, përfshirë S. pyogenes dhe Clostridium botulinum (që shkakton botulizëm). Sot, streptokoku i grupit A gjendet në gjithë botën dhe shkakton një gamë sëmundjesh nga infeksione të lehta si dhimbja e fytit deri tek sëmundje të rrezikshme për jetën. Ai gjithashtu shkakton ethet e kuqe, që dikur ishin një nga shkaqet kryesore të vdekshmërisë tek fëmijët para antibiotikëve.