Bota

Mund të furnizojë Nju Jorkun për 800 vjet, çfarë është zbuluar nën fundin e Oqeanit Atlantik?!

Një ekspeditë shkencore në brigjet e Masaçusetsit ka konfirmuar ekzistencën e një rezervuari gjigant me ujë të ëmbël të fshehur nën fundin e Oqeanit Atlantik, një zbulim i rrallë që mund të ndryshojë mënyrën se si kuptohet historia e ujit në Tokë. Sipas studiuesve, rezervuari është rreth 20 mijë vjeçar dhe daton nga epoka e fundit e akullnajave.

Në teori, sasia e ujit të ëmbël që përmban mund të mbulojë nevojat e qytetit të Nju Jorkut për rreth 800 vjet. Shkencëtarët e cilësojnë këtë depozitë si një nga “fosilet” natyrore më mbresëlënëse të periudhës akullnajore, duke sugjeruar se ajo u formua në një kohë kur niveli i detit ishte shumë më i ulët se sot dhe zona ishte pjesë e tokës së thatë. Zbulimi hap pyetje të reja mbi lëvizjen, ruajtjen dhe evolucionin e burimeve ujore në planet, si dhe mbi rolin që këto rezerva të fshehura mund të kenë pasur në ekosistemet e së kaluarës.