Që nga rënia e Bashkimit Sovjetik mbi tri dekada më parë, fqinjët rivalë në Kaukazin Jugor, Armenia dhe Azerbajxhani, kanë zhvilluar dy luftëra që vranë mijëra persona e zhvendosën qindra mijëra të tjerë. Udhëheqësit e tyre, duket se po përgatiten të nënshkruajnë një traktat për paqe, që synon t’i japë fund armiqësive mbi rajonin e Azerbajxhanit, të banuar me armenë. Eshtë fjala për Nagorno-Karabakun, të cilin Bakuja e rimori nga separatistët armenë në shtator të vitit 2023, pas një ofensive të shpejtë.
Ky njoftim sinjalizon një mundësi reale për të finalizuar dhe firmosur traktatin dypalësh, që është pritur prej një kohe të gjatë, u shpreh Richard Giragosian, numri një i Qendrës për Studime Rajonale, institut i pavarur në Jerevan.
Javën e kaluar, Bakuja dhe Jerevani njoftuan se kanë finalizuar tekstin e marrëveshjes historike të paqes, edhe pse ende mbetet e paqartë se kur udhëheqësit e dy shteteve do ta nënshkruajnë. Akordi po shihet si një arritje e madhe për t’i dhënë fund konfliktit rraskapitës në rajonin ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia, Bashkimi Europian, Turqia dhe Irani po garojnë për ndikim.
Sipas marrëveshjes, dy fqinjët do të vendosin raporte formale, me Jerevanin që do të njohë sovranitetin e Azerbajxhanit mbi Karabak, pasi ka rezistuar që ta bënte një gjë të tillë, që nga viti 1991. Thuhet edhe se dy palët kanë rënë dakord për çështjen e ndjeshme të heqjes së një reference nga Kushtetuta e Armenisë për deklaratën e saj të pavarësisë në vitin 1991, që mbështet pretendimet territoriale të Jerevanit mbi rajonin e Karabakut.
Por, ndryshimi i Kushtetutës armene do të kërkojë mbajtjen e një referendumi kombëtar që me gjasa pritet të vonojë përmbylljen e marrëveshjes. Giragosian argumentoi se në mungesë të ndonjë mospajtimi të minutave të fundit, marrëveshja “ofron një mundësi për të kapërcyer ngërçin diplomatik mes Armenisë e Azerbajxhanit”.
Ai tha se ndryshimet kushtetuese nuk mund të zbatohen para qershorit të vitit të ardhshëm. Disa analistë e kanë parë çështjen si një pengesë të mundshme. Ai politik azer, Rauf Mirgadirov, vuri në dukje se ky afat kohor ka gjasa që të pengojë që marrëveshja e paqes të materializohet së shpejti.