Sapo ka nisur sezoni i perimeve të fushës, por për fermerët e Frakullës në Fier situata është alarmante. Megjithëse prodhimet e tyre janë të cilësisë së lartë dhe të destinuara kryesisht për eksport, mungesa e tregut po i çon drejt falimentimit.
Produkte si shalqiri dhe domatet nuk kanë gjetur rrugën drejt tregjeve të huaja, ndërsa në tregun vendas shiten vetëm sasi të vogla. Si pasojë, qindra tonë shalqinj kanë mbetur në ara pa u tregtuar.
“Ne punojmë familjarisht. Kam kultivuar rreth 13 dynym tokë dhe pres të marr rreth 130 tonë sharqi prodhim bio. Në këtë periudhë duhet të kishte nisur tregtimi, por askush nuk po na ofron çmim dhe as pikat e grumbullimit nuk po e marrin shalqirin. Jemi në prag falimentimi, pasi kemi marrë kredi. Ky prodhim nuk mund të qëndrojë më shumë se një javë në arë, sepse temperaturat janë shumë të larta. Nëse nuk shitet brenda pak ditësh, do të detyrohemi ta hedhim të gjithë prodhimin”, shprehet Miri Zeqaj, fermer.
Të gjendur në këto kushte, fermerët e Frakullës, të cilët e kanë bujqësinë burimin e vetëm të të ardhurave, kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga shteti. Ata kërkojnë subvencionim të prodhimit, mbështetje për pikat e grumbullimit dhe gjetjen e tregjeve të huaja për eksport.
Sipas tyre, nëse situata vijon të jetë e njëjtë, shumë fermerë do të detyrohen të braktisin bujqësinë. Kjo, thonë ata, nuk do të dëmtojë vetëm prodhuesit, por edhe konsumatorët, të cilët në të ardhmen do të përballen me produkte të importit me çmime shumë më të larta.