Rajoni

Bllokohet autostrada drejt Athinës dhe Selanikut, vazhdojnë protestat e fermerëve…

Që prej ditës së djeshme, autostrada kombëtare Athinë–Selanik mbetet e mbyllur në disa zona nga traktoret e fermerëve të Kardhicës, të cilët kërkojnë masa të menjëhershme mbështetëse për kostot e prodhimit, dëmshpërblimet dhe problemet me pagesat.

Që në orët e para të mëngjesit, fermerët nga Malgarat dhe zonat përreth u grumbulluan me traktoret e tyre në nyjën e autostradës, ku policia kishte vendosur barriera për të penguar hyrjen.

Pavarësisht rrethimit policor, një grup fermerësh kaloi përmes arave, doli në autostradë dhe arriti në pikën e pagesës së tarifës në Malgara, në drejtim të Athinës. Aty mbyllën sportelet e pagesës, duke ndërprerë qarkullimin, ndërsa pjesa më e madhe e traktoreve mbetën të grumbulluar në nyjën e Malgarave.

Në të njëjtën kohë, teksa qarkullimi i mjeteve vazhdonte, fermerët mbyllën edhe drejtimin drejt Selanikut. Në autostradë mbetën të bllokuara automjete që nuk arritën të kalonin, gjë që solli tensione mes drejtuesve të mjeteve dhe fermerëve.

Madje, një drejtues automjeti goditi me tamponin e makinës një traktor, çka çoi më pas në një përplasje verbale. Më vonë u krijua një korsi e lirë dhe të gjitha automjetet e bllokuara u larguan.

Sipas mediave greke, bllokada të reja pritet të krijohen sot në Thiva dhe Livadhia, ndërsa pasnesër në Kastoria, Evro dhe Serres. Paralelisht, fermerët e Kilkis kanë bërë një bllokim simbolik të pikës doganore të Dojranit në hyrje dhe dalje, me rreth 24 traktore.

Gjatë dhjetditëshit të parë të dhjetorit, fermerët e Magnisias pritet të bllokojnë portin e Volosit, si edhe porte të tjera të vendit, madje edhe pika doganore.

Fermerët deklarojnë se janë të vendosur të vazhdojnë protestat dhe të shtojnë prezencën e tyre në rrugë, duke kërkuar masa të menjëhershme mbështetëse për kostot e prodhimit, dëmshpërblimet dhe problemet me pagesat.