Dolomitet mbajnë brenda tyre emocione të pafundme për udhëtarët dhe tashmë, një koleksion i ri nga një prej alpinistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Reinhold Messner, po u jep një kuptim të ri këtyre maleve legjendare.
Në veri të Italisë, pranë kufirit me Austrinë, Dolomitet janë një botë e ashpër dhe madhështore, me maja të thepisura, katedrale guri dhe shkëmbinj që duken sikur luftojnë me njëri-tjetrin prej miliona vitesh.
I dominuar nga rrëshqitje dhe ortekë, ky terren është shtëpia e rrugëve “via ferrata”, shtigje të vjetra të luftës së Parë Botërore, të ndërtuara me kabllo dhe ura hekuri për të shpëtuar ushtarët në kushte të pamundura.
Në këtë mjedis të egër, askush nuk do të priste të gjente një muze. Megjithatë, majat e tyre janë shndërruar në vende reflektimi për natyrën, alpinzimin dhe ndryshimet klimatike. Të gjitha kanë një emër të përbashkët: Reinhold Messner.
Ky emër është sinonim me guximin ekstrem. Në vitin 1980, Messner u bë njeriu i parë që ngjiti vetëm malin Everest pa oksigjen ndihmës.

Deri në vitin 1986, kishte pushtuar të 14 majat më të larta të botës. Më pas kaloi Grenlandën dhe Antarktidën i vetëm, duke tërhequr një slitë. Sot, në moshën 81-vjeçare, ai vazhdon të tregojë historitë e jetës së tij, përmes librave, ekspozitave dhe muzeve që mbartin shpirtin e maleve.
Projekti i tij më i ri, Reinhold Messner Haus, ndodhet në rajonin e Tre Zinnen në Dolomite dhe u zhvillua bashkë me bashkëshorten e tij, Diane. I vendosur në një ish-stacion teleferiku në majë të Malit Elmo, muzeu është ndërtuar sipas parimit “pa materiale të reja”, duke përdorur plotësisht strukturën ekzistuese.

Brenda, vizitorët gjejnë një përzierje të mjeteve të ngjitjes, pikturave, artefakteve aziatike dhe objekteve personale që i japin një dimension shpirtëror e kulturor hapësirës.
Dëshirojmë që njerëzit të kuptojnë më mirë marrëdhënien e tyre me natyrën, shpjegon Diane.
Në një nga dhomat e muzeut ndodhet edhe studioja e Messner, ku janë mbledhur qindra harta, fotografi bardh e zi dhe kujtime nga dekadat e aventurave të tij.
Nuk kam pasur kohë t’i rregulloj ndonjëherë. Isha gjithmonë duke menduar për malin tjetër.
Nga ballkoni i muzeut, pamja është mahnitëse: vargmalet shtrihen si dallgë prej guri, me maja që ngrihen mbi pyje të gjelbëruara. Në një cep qëndron një statujë prej druri e Messner, e realizuar nga artisti sllovak Štefan Papčo, që e paraqet gjatë ngjitjes së tij në Nanga Parbat në vitin 1978, një nga momentet më të lavdishme të karrierës së tij.
Por historia e Messner nuk mbyllet këtu. Midis viteve 1995 dhe 2015, ai themeloi gjashtë muze të tjerë në Tirolin e Jugut, të njohur sot si Messner Mountain Museums.
Disa ndodhen në maja malesh, të tjerë në kështjella mesjetare. Tani ato menaxhohen nga vajza e tij, Magdalena, dhe eksplorojnë temat e kulturës malore, antropologjisë dhe alpinzmit.
Ndër më të veçantët është Messner Mountain Museum Corones, projektuar nga arkitektja e njohur Zaha Hadid.

I ndërtuar në një ballkon natyror në 2,275 metra lartësi, afër majës së Kronplatz, ai është një kryevepër betoni e ndërthurur me formën e akullit dhe shkëmbit. Brenda, historia e alpinizmit shfaqet më shumë si një përvojë emocionale se si një kronologji.
Për Messner, të gjitha këto janë pjesë e një misioni më të madh: të ruajë shpirtin origjinal të alpinizmit dhe lidhjen mes njeriut dhe natyrës.
Aventurat janë të reja në historinë e njerëzimit, vetëm 200 vjet. Por marrëdhënia jonë me natyrën po ndryshon dhe është thelbësore që traditat e alpinizmit të mos harrohen.
Në fund, ndërsa qëndron në ballkonin e muzeut të tij, me shikimin e kthyer drejt majave të Dolomiteve, Reinhold Messner duket ende si njeriu që kërkon sfidën tjetër. Një alpinist që nuk ndalet kurrë, as në kujtime, as në misionin për ta mbajtur gjallë frymën e maleve. / shqip.al