Sport

Napoli nis festën për trofeun, por kjo tërbon Antonio Konten

Në Napoli është “ethe blu”. Ndeshja në transfertë ndaj Leçes shihej nga shumëkush si pengesa e fundit që ndante Antonio Konten dhe djemtë e tij nga një titull kampion historik. Me fitoren në “Via del Mare”, kilometrat e fundit duken vërtet të lehtë: me 7 pikë kundër Xhenoas, Parmës dhe Kaljarit do të fitohet zyrtarisht kampionati.

Vija e finishit është e dukshme për të gjithë, aq sa edhe në qytetin ku supersticioni është një fe, kanë filluar përgatitjet për festën. Napoli është në ethe, entuziazmi ndihet nga afërsi të qendrës stërvitore në “Castel Volturno” deri te rrugicat e qytetit.

LEXO EDHE: Barazim në minutën e fundit, Lazio ndal Juventusin në shtëpi dhe “asiston” rivalin e përjetshëm për garën në Champions!

Emocione dhe vibrime që edhe gazeta “Il Mattino” i ka ndier në ajër dhe do t’i tregojë përditë përmes një suplementi të veçantë prej 8 faqesh: “Il Mattino do të tregojë që nga sot këto ditë entuziazmi për azurrët me një shtojcë të përditshme prej 8 faqesh, kushtuar jo vetëm skuadrës që kryeson kampionatin, por edhe qytetit që po jeton një sezon emocionues që mund të sjellë titullin e katërt kampion. Një udhëtim nga Castel Volturno deri në rrugët e Napolit në pritje të ditës më të bukur”, shkruhet në gazetën kampane.

Dhe qyteti tashmë është i veshur për festë: nga flamujt me numrin “4” te statujat tipike të protagonistëve të kësaj ecurie historike. Paradoksalisht, më supersticiozi nga të gjithë është Antonio Konte.

Sipas asaj që raporton “Corriere del Mezzogiorno”, trajneri ka shpërthyer në zemërim për shkak të organizimit të festës. Për trajnerin, tani më shumë se kurrë, duhet shmangur çdo shpërqendrim dhe të qëndrohet 100% i fokusuar te objektivi që, sipas shifrave, ende nuk është matematikisht i arritur.

Vetëm pas disa javësh, nëse gjithçka shkon si duhet, mund të fillojnë përgatitjet për festimet. Deri atëherë, çdo shpërqendrim është i ndaluar: ëndrra për titullin është vetëm një hap larg dhe tani mund të preket vërtet me dorë. Pavarësisht supersticionit të Kontes, renditja dhe kalendari e mbështesin atë që vetëm 12 muaj më parë dukej një utopi: të rikthehen kampionë.