NASA po përshpejton përpjekjet për t’u rikthyer në Hënë përpara Kinës, si dhe synon ta çojë përpara nisjen e misionit Artemis II (i planifikuar më parë për në prill 2026), që në muajin shkurt. Misioni do të ketë katër astronautë që fluturojnë rreth Hënës. Kapsula Orion për Artemis II është emëruar Integrity, siç edhe njoftuan katër astronautët gjatë një konference për shtyp të NASA-s.
Eshtë traditë që emri i një anijeje të re kozmike me njerëz, të zgjidhet nga astronautët e parë që hipin në të. Në këtë rast, ishin komandanti Reid Wiseman, piloti Victor Glover dhe specialistët e misionit, Christina Koch e Jeremy Hansen (tre astronautët e parë të NASA-s, me të katërtin që përfaqësonte Agjencinë Hapësinore Kanadeze).
Vendimi nuk ishte aspak i lehtë:
Ne në thelb u mbyllëm në një dhomë derisa arritëm në një zgjidhje të përbashkët.
“Emri Integrity mishëron parimet e besimit, respektit, ndershmërisë dhe përulësisë, që karakterizojnë ekuipazhin e shumë inxhinierë, teknikë, shkencëtarë, planifikues dhe ëndërrimtarë të nevojshëm për suksesin e misionit”, shpjegoi NASA në një deklaratë.
Gjithashtu, emri i bën homazh përpjekjes së gjerë e të integruar, nga më shumë se 300 mijë komponentë të anijeve kozmike deri te mijëra njerëz në mbarë botën që duhet të bashkohen për të udhëtuar drejt Hënës e anasjelltas, për të frymëzuar botën dhe hartuar kursin për një prani afatgjatë në Hënë.
Data e nisjes për misionin Artemis II, ende nuk është e qartë, por nëse fushata e testimit shkon pa probleme dhe ofron të gjitha garancitë e nevojshme të sigurisë, dritarja e parë e mundshme e nisjes mund të hapet që më 5 shkurt, sipas Lakiesha Hawkins, zëvendësadministratore e asociuar e Drejtorisë së Zhvillimit të Sistemeve të Eksplorimit të NASA-s.
Ndërsa pranoi presionet e forta gjeopolitike nën të cilat ndodhet agjencia hapësinore amerikane, Hawkins theksoi se siguria e ekuipazhit mbetet një përparësi kryesore. Misioni, i cili do të zgjasë rreth dhjetë ditë, pritet që të jetë i pari me ekuipazh në Hënë që nga Apollo 17 (1972). Programi kërkon që kapsula Orion të përfundojë një orbitë rreth Tokës, ose edhe dy në rast se është e nevojshme për të përfunduar të gjitha kontrollet.