Pas gjashtë muajsh pa asnjë sinjal komunikimi, NASA ka shpallur të përfunduar misionin e sondës hapësinore MAVEN në Mars. Agjencia amerikane e hapësirës konfirmoi të mërkurën se misioni ka marrë fund pas më shumë se një dekade vëzhgimesh shkencore. E lëshuar në vitin 2013 për të studiuar atmosferën e Planetit të Kuq nga orbita, sonda MAVEN humbi kontaktin në mënyrë misterioze në fillim të dhjetorit, pasi kaloi pas Marsit. Të dhënat treguan se anija kishte hyrë në një rrotullim të shpejtë, gjë që çrregulloi orbitën e saj dhe shkaktoi shkarkimin e baterive në bord. Një komision i posaçëm i ngritur nga NASA në fillim të këtij viti arriti në përfundimin se sonda nuk është më funksionale dhe nuk mund të rikuperohet.
Ndërkohë, hetimet për të përcaktuar shkakun e problemit vazhdojnë. Përveç studimit të motit marsian dhe vëzhgimit të një komete ndëryjore vitin e kaluar, MAVEN luajti një rol të rëndësishëm duke transmetuar të dhëna nga robotët eksplorues Curiosity dhe Perseverance, të cilët operojnë në sipërfaqen e Marsit. Shkencëtarja kryesore e misionit, Shannon Curry, deklaroi se sonda realizoi një sërë “zbulimesh të jashtëzakonshme”. “MAVEN ka avancuar në mënyrë të jashtëzakonshme kuptimin tonë mbi atmosferën dhe evolucionin e Marsit,” tha ajo në një deklaratë zyrtare.
Agjencia amerikane e hapësirës NASA ka zbuluar detaje të reja mbi misionet e saj të ardhshme në Hënë, përfshirë landerë robotikë, dronë që “kërcejnë” mbi sipërfaqe dhe mjete eksplorimi, si pjesë e planit për ndërtimin e një baze të përhershme hënore. Në projekt janë përfshirë disa kompani private, mes tyre edhe kompania hapësinore e themeluesit të Amazon-it Jeff Bezos, Blue Origin, e cila do të ndërtojë një nga mjetet e uljes në Hënë.
Shtetet e Bashkuara synojnë rikthimin e astronautëve në sipërfaqen hënore përpara përfundimit të mandatit të presidentit Donald Trump në vitin 2029, ndërsa projekti shihet si pjesë e një gare të re hapësinore me Kinën. Në anën tjetër, Kina po avancon me shpejtësi drejt objektivit të saj për të ulur astronautë në Hënë deri në vitin 2030, duke forcuar konkurrencën globale në eksplorimin hapësinor.