NATO po ndërmerr të gjitha hapat për të ofruar mjedis të sigurt e liri të lëvizjes në veri të Kosovës. Zëdhënësja Oana Lungescu vuri në dukje se misioni i aleancës ushtarake perëndimore në Kosovë, KFOR, merr “shumë seriozisht” ngjarjet në veri.
Zbatimi i mandatit nga KFOR-i është i palëkundur, siç dëshmohet me dislokimin e 500 trupave shtesë. Ne edhe një herë u kujtojmë palëve detyrimet e tyre sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike. Këtu përfshihen respektimi i vijës kufitare administrative, procedurat për Policinë e Kosovës dhe marrëveshja e vitit 2013 për dislokimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri. Këto detyrimet janë caktuar për të siguruar veprim të koordinuar, për të shmangur përshkallëzimin, për të ruajtur dhe siguruar mjedis të sigurt.
Sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike që i dha fund luftës në Kosovë, KFOR është përgjegjës për sigurinë e kufijve të territorit të Kosovës. Më 14 qershor, në zonën kufitare mes Kosovës e Serbisë u arrestuan tre policë kufitarë nga forcat serbe. Beogradi pretendon se u kapën “thellë”, brenda territorit serb. Por, Prishtina thotë se u rrëmbyen në pjesën e Kosovës.
Si përgjegjësi kryesor për sigurinë e territorit të Kosovës, më 16 qershor, KFOR-i tha se “bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku ishin zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit”.
Ndaj tre policëve të Kosovës, një gjykatë në Kralevë dha masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Departamenti amerikan i Shtetit i bëri thirrje Serbisë të lirojë menjëherë policët e Kosovës që sipas Uashingtonit, po mbahen në paraburgim me akuza të pabaza.
Rasti i tre policëve të Kosovës vjen në kohën e rritjes së tensioneve në veriun me shumicë serbe. Serbët në këtë zonë po protestojnë që nga 26 maji, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, hynë në ndërtesat komunale me ndihmën e Policisë së Kosovës.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përplasjet u lënduan dhjetëra persona nga të dy palët.