Sam Neill, aktori nga Zelanda e Re, i njohur për rolin e tij në sagën e filmave “Jurassic Park”, në serialin “Peaky Blinders” dhe në dhjetëra filma të tjerë, ka ndërruar jetë në Australi. I nominuar disa herë për çmimet Golden Globe dhe Primetime Emmy, ishte 78 vjeç.
Shkaqet e vdekjes nuk janë bërë të ditura. Vetëm pak kohë më parë, Neill kishte njoftuar se ishte shëruar nga kanceri, pasi në vitin 2022 ishte diagnostikuar me limfomë angioimunoblastike të qelizave T në stadin e tretë, një formë e rrallë e kancerit të gjakut. Familja e tij bëri të ditur se vdekja ishte e papritur dhe se ai ishte shëruar në momentin e ndarjes nga jeta.
Me trishtim të thellë, familja e Sam Neill njofton ndarjen e tij nga jeta, në Sydney të Australisë. Sam ishte i rrethuar nga njerëzit e tij më të dashur dhe u shua me dinjitetin që e karakterizoi gjatë gjithë jetës. Humbja ishte e papritur.
Familja dëshiron të shprehë mirënjohjen më të thellë ndaj stafit të Spitalit Privat St Vincent për kujdesin e treguar. Detaje të tjera do të bëhen të ditura më vonë, por për momentin, në emër të familjes, kërkojmë që të respektohet privatësia në këtë periudhë dhimbjeje të madhe, thuhet në njoftim.
Neill u bë i njohur për herë të parë në vitin 1977 me filmin “Sleeping Dogs”, përpara se të luante në filma si “My Brilliant Career”, “The Piano”, “The Dish” dhe “Possession”, mes shumë të tjerëve.
Kryeministri australian Anthony Albanese shkroi:
Sam Neill luajti në shumë histori të dashura australiane dhe fitoi një vend të veçantë në zemrat e bashkëqytetarëve tanë. Ironik dhe i mprehtë, i thellë në mendime dhe lakonik, Sam e përballoi sëmundjen me të njëjtin dinjitet, humor dhe vendosmëri që i jepnin forcë çdo interpretimi të tij. Ai do të mungojë shumë dhe do të kujtohet për një kohë të gjatë. U prehtë në paqe!
Nigel John Dermot Neill lindi në vitin 1947 në Omagh, në Irlandën e Veriut, nga një nënë angleze dhe një baba nga Zelanda e Re, i cili shërbente në ushtrinë britanike. Familja u shpërngul në Zelandën e Re në vitin 1954.
Ai mori emrin Sam në moshën 12-vjeçare, sepse në shkollën e tij kishte disa djem me emrin Nigel.
E kuptova se e kisha më të lehtë të ecja në jetë si Sam. Nigel është një emër që nuk i përshtatet shumë situatave. Imagjinoni të jeni një aktor filmi me emrin Nigel Neill, shprehej ai.