Botë e Çuditshme Health & Beauty Lifestyle

Kafshët mund të luajnë në instrumente?! Shimpazetë dhe zogjtë mund…

Harrojeni bateristin legjendar Ringo Starr. Edhe shimpanzetë e egra në Afrikë kanë “talentin” e tyre për ritmin. Studiuesit kanë vëzhguar se shimpanzetë godasin me duar dhe këmbë rrënjët e mëdha të pemëve, duke krijuar tinguj të thellë që mund të dëgjohen deri në më shumë se një kilometër larg në pyll. Sipas një studimi të publikuar në vitin 2022, kjo nuk është thjesht një lojë. Drunjtë përdoren si një mënyrë komunikimi në distancë, ndërsa çdo shimpanze ka stilin e saj të veçantë të “daulleve”, duke i ndihmuar anëtarët e grupit të kuptojnë se ku ndodhet.

Një studim më i fundit, i cili analizoi më shumë se 370 modele goditjesh në gjashtë popullata të ndryshme shimpanzesh, zbuloi se ritmet ndryshojnë edhe sipas rajonit ku jetojnë. Shimpanzetë e Afrikës Perëndimore priren të krijojnë ritme me goditje të rregullta dhe të barabarta, ndërsa ato të Afrikës Lindore alternojnë intervale më të shkurtra dhe më të gjata mes goditjeve, duke krijuar modele ritmike më të larmishme. Në disa raste, shimpanzetë përdorin edhe “instrumente”. Ato hedhin gurë drejt trungjeve të pemëve për të prodhuar tinguj të fortë, një sjellje që shpesh shoqërohet me britmën karakteristike të shimpanzeve, e njohur si “pant-hoot”.

Kjo formë e pazakontë “muzike me gurë” është dokumentuar te shimpanzetë në Guinea-Bissau. Sipas studiuesve, bëhet fjalë për një shembull të kulturës së tyre komplekse, pasi të vegjlit mësojnë këtë sjellje duke imituar anëtarët më të rritur të grupit. Shkencëtarët besojnë se këto sjellje sugjerojnë se aftësia e njerëzve për të krijuar dhe shijuar muzikën ritmike mund t’i ketë rrënjët te paraardhësit tanë evolucionarë. Megjithatë, shimpanzetë nuk janë të vetmet kafshë me ndjenjë ritmi.

Edhe kakaduja e palmës, një zog i njohur për kreshtën e zezë mbi kokë, përdor degëza ose bishtaja farash si shkopinj, duke trokitur ritmikisht mbi trungjet e pemëve. Kjo sjellje kryhet nga meshkujt për të tërhequr femrat ose për të shënuar territorin dhe konsiderohet unike në botën e shpendëve. Madje, këta zogj përgatisin vetë “instrumentet” e tyre, duke i gdhendur me kujdes derisa të marrin madhësinë dhe formën e dëshiruar. Sipas studiuesve, këto zbulime tregojnë se ndjenja e ritmit dhe përdorimi i objekteve për të krijuar tinguj muzikorë nuk është një aftësi ekskluzive e njeriut, por mund të ketë evoluar shumë më herët në historinë e jetës.