Servali i zi (Leptailurus serval) është një variant jashtëzakonisht i rrallë i servalit afrikan, një mace e egër me madhësi mesatare që jeton në Afrikë. Servalët e zakonshëm njihen për këmbët e tyre shumë të gjata, trupin elegant, qafën e gjatë dhe veshët e mëdhenj, ndërsa gëzofi i tyre është i mbuluar me njolla, të ngjashme me ato të gepardit. Por servali i zi është edhe më i veçantë. Ngjyra e tij e errët është rezultat i melanizmit, një ndryshim gjenetik që ndikon në qelizat përgjegjëse për prodhimin e pigmentit. Këta felinë kanë një gëzof pothuajse tërësisht të zi, ku ndonjëherë mund të dallohen vetëm disa njolla shumë të zbehta.
Në natyrë, servalët e zinj janë jashtëzakonisht të rrallë dhe zakonisht janë vërejtur në zona malore, si malësitë Aberdare në Kenia, ku klima më e freskët dhe mjegulla mendohet se favorizojnë gëzofin e errët. Servali ka këmbët më të gjata në raport me trupin se çdo lloj tjetër maceje. Ai arrin rreth 50 centimetra lartësi, mund të vrapojë me shpejtësi deri në 64 kilometra në orë dhe është në gjendje të kërcejë deri në 3 metra lart. Këto aftësi i shërbejnë për të kapur gjahun, si brejtësit, zvarranikët dhe amfibët, por edhe për t’u shpëtuar grabitqarëve si leopardët, hienat dhe qentë e egër afrikanë. Një tjetër veçori mbresëlënëse janë veshët. Servali ka veshët më të mëdhenj në raport me madhësinë e kokës nga të gjitha macet.
Secili vesh përmban 22 muskuj, duke i lejuar kafshës t’i rrotullojë në mënyrë të pavarur deri në 180 gradë. Kjo i ndihmon të lokalizojnë prenë edhe kur ajo fshihet në barin e lartë ose ndodhet nën tokë. Falë dëgjimit të jashtëzakonshëm dhe këmbëve të fuqishme, servalët konsiderohen ndër gjuetarët më të suksesshëm në mesin e maceve të egra. Ndërsa luanët dhe leopardët kanë sukses në rreth një të tretën e gjuetive, servalët arrijnë ta kapin prenë në më shumë se gjysmën e rasteve. Tradicionalisht, servalët e zinj janë gjetur në pyje malore mbi 2.000 metra lartësi, si në malet Aberdare të Kenias apo në malësitë e Etiopisë, ku gëzofi i errët u siguron kamuflim më të mirë mes hijeve të pyllit.
Megjithatë, studiuesit u befasuan kur i zbuluan edhe në kullotat e ekosistemit Tsavo, zona më e madhe e mbrojtur në Kenia. Një studim i kryer nga organizatat Sheldrick Wildlife Trust dhe Wildlife Works mes viteve 2011 dhe 2016 zbuloi se 47 për qind e servalëve të vëzhguar në Tsavo ishin melanistikë, një përqindje shumë më e lartë se ajo e regjistruar në zonat malore.
Shkencëtarët ende nuk e dinë pse kjo ndodh. Një teori sugjeron se servalët e zinj bien më shumë në sy dhe për këtë arsye regjistrohen më shpesh. Një tjetër hipotezë ia atribuon këtë fenomen rastësisë gjenetike. Ndërsa një shpjegim i tretë është se melanizmi mund t’u japë këtyre maceve përparësi të tjera, si aftësi më të mira për rregullimin e temperaturës së trupit ose rezistencë më të madhe ndaj sëmundjeve, çka rrit shanset e tyre për të mbijetuar dhe për t’ua trashëguar këtë tipar brezave të ardhshëm. Pavarësisht shkakut, servali i zi mbetet një nga kafshët më të rralla dhe më mahnitëse të botës së egër, duke vazhduar të tërheqë vëmendjen e studiuesve dhe dashamirësve të natyrës.