Health & Beauty Lifestyle

Përse macet kanë qejf të ulen mbi laptop?!

Nëse keni një mace, me siguri e keni përjetuar këtë situatë: sapo hapni laptopin për të punuar ose lexuar, ajo vjen dhe ulet pikërisht mbi tastierë, duke ju penguar të vazhdoni.

Por pse e bëjnë këtë?

Edhe pse deri më sot nuk është kryer ndonjë studim i gjerë shkencor që ta analizojë këtë sjellje, ekspertët e sjelljes së maceve kanë disa shpjegime bindëse. Një nga idetë e para që mund të vijë ndër mend është se macja po përpiqet t’ju imitojë. Megjithatë, sipas Dr. David Sands, ekspert i psikologjisë së kafshëve me mbi 25 vjet përvojë, kjo nuk është arsyeja. Edhe pse studime të fundit kanë treguar se macet mund të imitojnë disa veprime të njerëzve, si prekja e një objekti me kokë ose me putër, shtypja e tasteve në tastierë nuk është një sjellje që ato mund ta kopjojnë. Kjo shpjegon pse një laptop i vjetër i lënë vetëm për to zakonisht nuk u ngjall interes. Një tjetër teori është se macet tërhiqen nga nxehtësia që lëshon laptopi. Megjithatë, eksperti thotë se kjo nuk është arsyeja kryesore.

Po, laptopët prodhojnë nxehtësi dhe macet i pëlqejnë vendet e ngrohta. Por nëse do të ishte vetëm kjo, ato do të zgjidhnin gjithmonë radiatorin ose një burim tjetër nxehtësie, shpjegon ai.

Sipas tij, arsyeja e vërtetë lidhet me aromën. Macet kanë një nuhatje jashtëzakonisht të zhvilluar dhe janë në gjendje të ndiejnë aromën që njerëzit lënë mbi tastierë gjatë përdorimit të laptopit.

Ju nuk mund ta dalloni, por macja e ndien aromën tuaj në të gjithë tastierën, thotë Dr. Sands.

Megjithatë, nuk është vetëm fakti që i pëlqen aroma juaj. Eksperti shpjegon se macja shpesh ulet mbi laptop për të lënë aromën e saj dhe për të zëvendësuar tuajën.

Është një mënyrë për të shënuar territorin. Në thelb, macja po thotë: ‘Ky njeri është imi’, shprehet ai.

Sipas tij, shumë njerëz mendojnë se kur macja fërkohet pas tyre apo pas sendeve të tyre, ajo po tregon dashuri. Në fakt, kjo është më tepër një mënyrë për të shënuar pronësinë.

Macet janë kafshë shumë posesive. Sa më shumë të lënë aromën e tyre mbi ju dhe mbi sendet që përdorni, aq më mirë për to, shton eksperti.

Dr. Sands thekson gjithashtu se, ndryshe nga qentë, të cilët janë përzgjedhur për mijëra vjet për të bashkëjetuar me njerëzit, macet kanë ruajtur më shumë instinktet e tyre të egra.

“nuk janë kafshë shumë shoqërore. Historikisht janë mbajtur për të kontrolluar brejtësit dhe priren të veprojnë në interes të vetes, shpjegon ai me humor.

Po a është e dëmshme për macen të ulet mbi laptop?

Sipas ekspertit, në shumicën e rasteve jo. Nga ana fizike, laptopi nuk i shkakton dëm kafshës. Megjithatë, nëse macja kërkon vazhdimisht vëmendje, ju ndjek nëpër shtëpi dhe miaullin pa pushim, kjo mund të jetë shenjë ankthi ose nevoje të madhe për vëmendje. Nëse këto shenja mungojnë, nuk ka arsye për shqetësim. Pra, herën tjetër kur macja të shtrihet mbi tastierën tuaj, mos u habisni. Sipas ekspertëve, ajo nuk po përpiqet t’ju pengojë të punoni, por thjesht po ju kujton se, sipas saj, laptopi, shtëpia dhe madje edhe ju i përkisni asaj.