Aktualitet

Performoi një natë më parë në Tiranë, reagon Kanye West: Faleminderit Edi Rama dhe gjithë Shqipërisë për mikpritjen në vendin tuaj të bukur!

Në një natë të mbushur me spektakël, Kanye West performoi në “Eagle Stadium” në Tiranë përpara 60 mijë fansave.

Koncerti bëri bashkë në Tiranë fansa nga 80 kombësi të ndryshme. Entuziazmi i tyre ishte i jashtëzakonshëm, teksa ndan emocionet dhe pritshmëritë për natën që e kishin pritur prej kohësh.

Vetë artisti amerikan me famë botërore reagoi pas asaj nate, duke falënderuar Ramën dhe Shqipërinë për ndërtimin e stadiumit dhe për mikpritjen.

“Faleminderit Edi Rama dhe gjithë Shqipërisë për ndërtimin e një stadiumi dhe për mikpritjen që më bëtë në vendin tuaj të bukur”, shkruan Kanye.

Koncerti i Kanye West u shndërrua në një nga ngjarjet më të mëdha muzikore në vendin tonë, duke e vendosur Shqipërinë në hartën e destinacioneve që mirëpresin spektakle të mëdha.

Gjatë performancës, artisti solli në repertor hitet që e kanë shoqëruar ndër vite, ndërsa publiku e shoqëroi me këngë dhe duartrokitje gjatë gjithë mbrëmjes.

Koncerti u karakterizua nga një skenografi e veçantë, efekte vizuale dhe ndriçim spektakolar, duke krijuar një eksperiencë unike për të pranishmit, teksa vëmendjen e tërhiqte skena-glob. Ndjekësit reaguan me entuziazëm ndaj performancës së reperit.

LEXO EDHE: I veshur me xhup dhe krejt i çlirët në ambientet e hotelit, Kanye West mbërrin në Tiranë për koncertin gjigant

Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të diel, një ditë pas koncertit të Kanye West në Tiranë, duke e cilësuar organizimin si një ngjarje me jehonë globale dhe duke iu përgjigjur kritikave që shoqëruan zhvillimin e saj.

Në një videomesazh të publikuar në rrjetet e tij sociale, Rama tha se Shqipëria “nuk organizoi thjesht një koncert”, por një aktivitet që, sipas tij, falë famës së artistit dhe shpërndarjes në rrjetet sociale, “u bë në çdo cep të botës një lajm”.