Një studim i ri sugjeron se është koha të ndryshojë mënyra se si shihet masturbimi te papagajtë dhe shpendët e tjerë, pasi kjo sjellje rezulton të jetë një pjesë normale e jetës së tyre dhe jo një shenjë e problemeve në sjellje. Për shumë vite, teoritë mbi sjelljet seksuale të kafshëve janë përqendruar në shpjegimin e rolit të tyre në mbijetesë dhe riprodhim. Megjithatë, masturbimi ka mbetur një fenomen që ka ngjallur shumë pikëpyetje te studiuesit, pasi duket se kërkon shpenzim energjie dhe, te meshkujt, edhe spermë, pa çuar drejtpërdrejt në riprodhim.
Sipas një studimi të botuar në revistën shkencore Ecology and Evolution, masturbimi raportohet më shpesh te shpendët që jetojnë në natyrë sesa te ata që mbahen në robëri. Më parë, kujdestarët e shpendëve këshilloheshin ta ndalonin këtë sjellje, pasi besohej se ajo ishte një reagim i pazakontë ndaj jetës në izolim. Për këtë arsye, shumë zogj janë penguar, ndëshkuar apo madje i janë nënshtruar trajtimeve veterinare për ta ndërprerë këtë sjellje. Megjithatë, autorët e studimit theksojnë se ky besim nuk mbështetet nga prova shkencore dhe e konsiderojnë atë një praktikë tradicionale të pabazuar.
Për studimin u analizuan të dhëna nga 120 lloje të ndryshme shpendësh. Rezultatet treguan se si meshkujt ashtu edhe femrat masturbohen. Te shpendët, kjo sjellje ndodh zakonisht duke fërkuar kloakën hapjen që shërben për riprodhimin dhe nxjerrjen e mbetjeve mbi objekte si degëza, lodra ose sipërfaqe të tjera. Shpesh ajo shoqërohet edhe me tinguj karakteristikë ose me përplasje të krahëve. Edhe pse masturbimi është më i zakonshëm te meshkujt, fakti që ai vërehet edhe te femrat tregon se funksioni i tij nuk lidhet vetëm me ruajtjen e spermës së freskët.
Studime të mëparshme te kafshë të tjera kanë treguar se masturbimi mund të ndikojë pozitivisht edhe në suksesin riprodhues të femrave. Për shembull, te primatët, zgjimi seksual rrit pH-në vaginale, duke krijuar kushte më të favorshme për mbijetesën e spermatozoideve. Studiuesit nuk gjetën dallime mes shpendëve të rinj dhe atyre të rritur për sa i përket shpeshtësisë së kësaj sjelljeje. Megjithatë, masturbimi ishte më i zakonshëm te speciet që çiftëzohen me më shumë se një partner, krahasuar me ato monogame ose që krijojnë lidhje afatgjata. Sipas autorëve, kjo sugjeron se masturbimi mund të shërbejë si një mënyrë për të çliruar tensionin seksual, për të përgatitur organizmin për fekondim të suksesshëm ose për të dyja njëkohësisht. Në përfundim, studiuesit theksojnë se kjo është një sjellje krejtësisht natyrale dhe se nuk ka arsye që shpendët të ndëshkohen apo të pengohen kur e shfaqin atë.