Aktualitet

Ndarja nga jeta e Anagnostit, presidenti Begaj: Plejadës së artistëve të mëdhenj, iu shkëput një tjetër yll!

Presidenti Bajram Begaj, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të regjisorit të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti.

Plejadës së artistëve të mëdhenj shqiptarë iu shkëput sot një tjetër yll. Lamtumirë, Dhimitër Anagnosti! Shqiptarët do të vazhdojnë të magjepsen nga arti yt i madh.

Më herët reagoi edhe kryeministri Edi Rama duke e cilësuar “babanë e kinemasë shqiptare”.

Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja shprehu keqardhjen për ndarjen nga jeta të “Nderit të Kombit”, Dhimitër Anagnosti. Në Facebook shkruan:

I trishtë lajmi për ndarjen nga jeta të mjeshtrit të kinematografisë shqiptare, “Nderi i Kombit” Dhimitër Anagnosti! Një jetë e tërë e përkushtuar artit, ku në karrierën e tij mbi 40-vjeçare ai realizoi 14 filma artistikë dhe 10 dokumentarë, duke lënë pas një trashëgimi të vyer për kulturën kombëtare.

Mes tyre spikasin filma që kanë hyrë në kujtesën kolektive si “Lulëkuqet mbi mure”, “Komisari i dritës”, “Plagë të vjetra”, “Në pyjet me dëborë ka jetë”, “Nëntori i dytë”, “Përrallë nga e kaluara”, “Duel i Heshtur”, “Në shtëpinë tonë” e të tjera vepra që i dhanë kinemasë shqiptare identitet dhe madhështi. Lamtumirë Mjeshtër!

Politika vazhdon të dërgojë mesazhe. Ilir Meta thekson se artisti i Popullit Dhimitër Anagnosti do të mbetet përjetësisht i nderuar mes korifenjve më të mëdhenj duke shtuar se “trashëgimia e lënë nga Anagnosti, do të frymëzojë gjeneratat e ardhshme”.

Në panteonin e kulturës kombëtare dhe artit të kinemasë shqiptare, Artisti i Popullit, Dhimitër Anagnosti, do të mbetet përjetësisht i nderuar mes korifejve më të mëdhenj. Kineast dhe regjisor i shquar, skenarist e mendimtar, ai na la trashëgim një vepër të ndritur, që do të vazhdojë të frymëzojë gjeneratat e ardhshme, duke u bërë metaforë emblematike e historisë së kinematografisë shqiptare dhe model frymëzues i një brezi krijuesish idealistë e patriotë.

Filmat e Anagnostit, edhe pse të krijuar në një kohë të caktuar historike, falë vizionit e talentit të tij të jashtëzakonshëm, mbeten vepra universale që përcjellin mesazhe të përjetshme dhe gjithmonë aktuale.

Rreth 5 vite më parë, në 85-vjetorin e lindjes së Anagnostit, Ilir Meta si president i vendit i dorëzoi dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.