Ndahet nga jeta në moshën 89-vjeçare regjisori i njohur shqiptar Dhimitër Anagnosti. Lajmin e hidhur e ka bërë publik vajza e tij, Juna Anagnosti përmes një postimi në rrjete sociale.
Lamtumirë Dhimitër Anagnosti, regjisori i jetes sone! Pas nje lëngimi te gjate ju binde ligjit te jetes! Lamtumirë babush!
Dhimitër Anagnosti lindi në Vuno më 23 janar 1936, një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm të shekullit XX. Filloren e kreu në fshatin e lindjes dhe shkollën unike e të mesme të përgjithshme, në Vlorë. Më 1954-1960 ndoqi Institutin Kinematografik “VGIK” të Moskës, ku u diplomua për kinooperator.
Së bashku me Viktor Gjikën xhiruan si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejt, duke u vlerësuar me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, në Holandë më 1961-shin.
Filloi punë si operator në Kinostudion “Shqipëria e re” në vitin 1961, me filmin “Debatik” e më pas me realizimin “Toka jonë” (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra “Gurët dekorativë”.
Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, “Komisari i dritës” dhe një vit më vonë i vetëm si regjisor, “Dueli i heshtur”.
Në karrierën 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Eshtë autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë.
Anagnosti ishte njeriu i mendimit të lirë, këmbëngulës në mbrojtjen e pikëpamjeve të tij, me një kurajë qytetare.
Për cilësitë e rralla artistike, si dhe për veprat dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me Kupën e Karrierës në Festivalin e 10-të Filmit Shqiptar. Viti 1991 e gjen të impenjuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin zgjidhet edhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996). Më 12 prill 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri më 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen.
Anagnosti ishte ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur intelektualët më aktivë. U impenjua në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë.
Në vitin 2001 shkroi dhe vuri në skenë në Teatrin Kombëtardramën e vetme “Nata e trokitjeve në xham”. Më 2005-ën korri sukses me filmin më të fundit “Gjoleka, djali i Abazit”, që u nderua me dy çmime ndërkombëtare në Itali.
Anagnosti ishte i martuar me aktoren e njohur të skenës dhe ekranit shqiptar, “Artisten e Merituar”, Roza Anagnosti.