Aktualitet

Ndarja nga jeta e Artur Zhejit, mesazhi prekës i gazetarit Virgjil Kule: “E zotëronte ekranin më një butësi dominuese, dorëzohej pa kushte çdo banalitet politik…”

Gazetari dhe publicisti Artur Zheji u nda nga jeta në mënyrë të papritur pasditen e së shtunës, pas një arresti kardiak, ndërkohë që ndodhej për pushime me familjen e tij në Sarandë.

Ish-kolegu i tij dhe gazetari i njohur, Virgjil Kule iu bashkua homazheve, teksa me anë të një statusi në rrjetet sociale e kujton Zhejin si një elitar në veprimtarinë gazetareske, i cili krijonte një atmosferë të mirëfilltë intelektuale.

“RIP Zheji! Unik në stil, i thellë në përmbajtje. Askush nuk e konkurronte frazeologjinë figurative të Zhejit. Nuk harrohet termi ‘ndërkallje’, një nga purizmat e tij të goditura që pasuronin gjuhën shqipe. Moderimet e tij krijonin një atmosferë të mirëfilltë intelektuale.

E zotëronte ekranin më një butësi dominuese para së cilës dorëzohej pa kushte çdo banalitet politik. Zheji ishte elitar në gjithë veprimtarinë e tij gazetareske. Sa pak të tillë kemi!”, shkruan Kule.

Gjithashtu edhe kreu i qeverisë Edi Rama ka reaguar pas vdekjes së parakohshme të gazetarit Artur Zheji. 

Në një reagim në rrjete sociale, Rama shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të gazetarit dhe publicistit të njohur.