Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Joan Pelushi nga ambasada e Vatikanit në Tiranë, ku sot u zhvilluan homazhe në nderim të Papa Françeskut, e cilësoi ndarjen e tij nga jeta si një humbje të madhe.
Ai tha se papa do të mbahet mend për thjeshtësinë që kishte dhe për përkushtimin e tij ndaj personave që ishin në nevojë.
‘Papa Françesku ishte një humbje e madhe jo vetëm për komunitetin katolikë, por edhe më gjerë. Ai do të kujtohet gjithmonë për thjeshtësin e tij dhe për kujdesin që tregoi ndaj njerëzve në nevojë dhe në vështirësi duke u bërë zëri i atyre që nuk kishin zë. Në do të na mungojë ky zë në botën e sotme, por ne ngushëllohemi sepse tek perëndia nuk ka të vdekur, zoti është i të gjallëve dhe lutemi që kujtimi i tij qoftë i përjetshëm. Ne do të jemi edhe në ceremoninë e varrimit. Unë e kam takuar disa herë. Karakteristika e tij kjo ishte thjeshtësia dhe përpjekja për të ndihmuar njerëzit në nevojë për të kujtuar edhe mision e kishës, e cila duhet që të përpiqet që të ndihmojë njerëzit në nevojë dhe ky ishte një kontribut shumë i rëndësishëm i tij në botën e sotme’, tha ai.
LEXO EDHE: Kush e bindi Trump-in të marrë pjesë në funeralin e Françeskut? Zbardhen prapaskenat!
Në Nunciaturën Apostolike, ambasadën e Vatikanit në Tiranë, po zhvillohen homazhe në nderim të Papa Françeskut, i cili u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare. Ambasada e Selisë së Shenjtë, njofton përmes një deklarate zyrtare, se mesazhet e ngushëllimit mund të lihen nga ora 10:00-12:30 dhe 14:00-17:00 në datat 23-24 prill.
“Pas kalimit në amshim të Papa Françeskut më 21 Prill 2025, në orën 7:35 të mëngjesit, në Vatikan, Nunciatura Apostolike ( Ambasada e Vatikanit) në Tiranë dëshiron të informojë se një Libër Ngushëllimi do të jetë i hapur për çdo qytetar që dëshiron ta firmosë, në rezidencën e kësaj Nunciature Apostolike, rruga Durrësit, 13, në datat 23-24 prill 2025, nga ora 10:00 deri në orën 12:30, dhe nga ora 14:00 deri në orën 17:00”, thuhet në njoftimin e ambasadës së Vatikanit.