Papa Françesku u nda nga jeta ditën e sotme në moshën 88-vjeçare. Nga Vatikani kanë bërë me dije tashmë arsyen e vdekjes së Françeskut dhe ajo ka qenë një goditje në tru (ishemi) dhe nga mos funksionim i zemrës.
Sipas Vatikanit, Ati ra në koma ditën e sotme në mëngjes herët.
LEXO EDHE: Thëniet më të njohura të Papa Françeskut/ “Kush jam unë për të gjykuar homoseksualët?”
Dje, Papa u shfaq në Bazilikën e Shën Pjetrit për bekimin tradicional “Urbi et Orbi”, në fund të meshës së Pashkës, në sheshin Shën Pjetër. Ati i Shenjtë u prit me ovacione nga besimtarët e pranishëm. “Krishti nuk është një hero i së shkuarës, Ai jeton në ata që vuajnë”, ishte predikimi i Papës, por lexuar nga kardinali Angelo Comastri.
Krishti u ringjall, ai është gjallë! Ai banon mes nesh, fshihet e zbulohet edhe sot në motrat dhe vëllezërit që takojmë rrugës, në situatat më anonime e të paparashikueshme të jetës sonë. Ai është i gjallë dhe mbetet gjithmonë me ne, duke qarë lotët e atyre që vuajnë dhe duke shumëfishuar bukurinë e jetës në gjestet e vogla të dashurisë së secilit prej nesh, theksoi Papa.
Në Vatikan, Papa Françesku pati një takim privat me zv.presidentin amerikan, JD Vance. Besimtar katolik, në të kaluarën, Vance është përplasur me Papën lidhur me politikat e administratës Trump për emigrantët. “Papa Françesku zhvilloi një takim të shkurtër privat, që zgjati disa minuta dhe të dy shkëmbyen urimet për ditën e Pashkës”, njoftoi Selia e Shenjtë.
Bashkë me familjen e tij, numri dy i Shtëpisë së Bardhë po viziton Italinë këtë fundjavë. Një ditë më parë, Vance u takua me zyrtarë të lartë të Vatikanit, me të cilët zhvilloi bisedime formale. Papa, i cili po rikuperohet nga pneumonia, nuk mori pjesë në këto takime.
Siç dihet, Ati i Shenjtë dhe zyrtarë të Vatikanit kanë kritikuar disa nga politikat e administratës Trump, përfshirë planet për të dëbuar miliona emigrantë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe shkurtimet e mëdha për ndihmat e huaja e për programet sociale brenda vendit.
Françesku e ka cilësuar “të turpshme” shtypjen e emigracionit. Vance, i kthyer në katolik në vitin 2019 ka cituar mësimet e Kishës Katolike, të epokës mesjetare, për të justifikuar këtë politikë.
Papa i është përgjigjur konceptit teologjik, që ka përdorur zv.presidenti amerikan për të mbrojtur këtë qasje, në një letër të hapur drejtuar ipeshkvijve katolikë amerikanë në muajin shkurt, ku e quajti planin e Trump-it një “krizë të madhe” për Shtetet e Bashkuara.