Ndërroi jetë në moshën 90-vjeçare, ish-lideri kubanez Fidel Castro, i cilësuar si një nga diktatorët e fundit në botë. Njoftimin e dha në Televizionin Shtetëror, presidenti i vendit, Raul Castro, i cili është vëllai i Fidelit. Ai nuk dha shumë detaje përveç faktit se ish-lideri revolucionar do të varroset sipas amanetit të dhënë. Për 47 vjet, Fidel Castro udhëhoqi Kubën me dorë të hekurt, duke përcjellë 10 presidentë amerikanë, armiqtë e tij më të mëdhenj. Fidel Castro iu shpëtoi 638 përpjekjeve për ta eleminuar fizikisht. Ai vendosi në vend sistemin një partiak dhe ndërsa mbështetësit e vlerësojnë për kontributin, kundërshtarët e akuzojnë se shtypi brutalisht opozitën. Në Kongresin e fundit të Partisë Komuniste në prill, Castro citohet të ketë thënë se së shpejti do të jetë si të tjerët pasi të gjithëve iu vjen rradha. Pushtetin e mori përmes revolucionit të 1959-ës dhe e drejtoi Kubën deri në 2006-ën, vit në të cilin u sëmur.