Kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo ka pezulluar nga detyra mëngjesin e sotëm 5 punonjësit e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Himarë. Shkak për këtë vendim është bërë lejimi i një sërë ndërtimesh dhe objektesh pa leje në Drimadhe, Jalë dhe Dhërmi. Ndaj tyre policia ka nisur hetimet, me dyshimin se kanë shpërdoruar detyrën, duke lejuar ngritjen e ndërtimeve pa leje në plazhet më të bukura të jugut.
Lidhur me këtë para disa ditësh ka pasur disa procedime, ndaj dhe kryebashkiaku ka urdhëruar pezullimin e punonjësve deri në përfundim të hetimeve. Të dielën, në orën 20:00, mësohet se IKMT prishi 4 struktura në Jalë, të cilat kanë qenë pa leje dhe nuk ka pasur kundërshtime. Ndërkohë që sot, në Dhërmi, ka nisur puna për prishjen e 5 objekteve të tjera.
Sipas informacioneve, kishte nisur ndërtimi i kapanonëve që do të shërbenin për mbajtjen e materialeve për ndërtimet që do bëheshin më pas.
Sakaq, hetimet e prokurorisë së Vlorës vijojnë dhe pritet të shihet nëse do të ketë procedime të tjera në hallka më të zgjeruara.
Nga ana tjetër aksioni i IKMT-së ka vijuar dhe në Jalë, ku kanë hasur rezistencën e pronarëve të disa objekteve.
Inspektorët e IKMT-së janë zhvendosur në plazhin e Jalës për të prishur disa objekte, ku bashkë me policinë kanë hasur rezistencën e pronarëve të disa objekteve që janë në plan për t’u prishur.
IKMT, sipas raportimeve, ka paralajmëruar pronarët e objekteve se kanë afat deri ditën e nesërme për t’u zhvendosur.
Banorët kanë kundërshtuar forcat e IKMT-së dhe policinë, duke shprehur rezistencë.