Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se të gjithë anëtarët aktivë të Klubit të Tifozëve, të cilët kanë përfituar paketat për sezonin aktual, nuk kanë nevojë të regjistrohen në formularin e shortit të biletave për ndeshjen mes Shqipërisë dhe Serbisë, që do të luhet më 7 qershor 2025.
Sipas FSHF-së, këta tifozë e kanë vendin në stadium të garantuar dhe do të marrin një link të personalizuar për blerjen e biletës të cilin duhet ta përdorin brenda një periudhe të përcaktuar, që pritet të bëhet publike në vijim.
Federata ka shprehur falënderimet për mbështetjen e vazhdueshme të tifozëve, duke theksuar rëndësinë e tyre në krijimin e një atmosfere të jashtëzakonshme në mbështetje të Kombëtares kuqezi.
Po ashtu, FSHF do të hapë aplikim për shitjen e biletave në ndeshjen me Serbinë. Ndërkohë gjatë kësaj kohe, federata përgënjeshtron lajmin ku tregohet se nuk do të shiten bileta për shqiptarët e Kosovës në ndeshjen me Serbinë.
Të gjithë shqiptarët deklaron FSHF, do të kenë mundësinë për të qenë në “Arenën Kombëtare”. Interesi pritet i jashtëzakonshëm, për ndeshjen që do të luhet më 7 qershor.