Një studim i ri tregon se ChatGPT në disa raste jep përgjigje më të sakta kur përdoruesit i bëjnë kërkesa të drejtpërdrejta dhe të ashpra, krahasuar me pyetjet e formuluara shumë të sjellshme. Kërkesa më të ashpra rezultuan me një saktësi përgjigjeje rreth 84.8 për qind, rreth katër për qind më shumë se formulimet më të buta. Shkencëtarët shpjegojnë se tonet më të forta shpesh çojnë në udhëzime më të qarta dhe të përqendruara, që ndihmojnë modelin të përpunojë detyrën më mirë.
Megjithatë, ata paralajmërojnë se kjo nuk do të thotë se përdoruesit duhet të jenë qëllimisht të pasjellshëm ndaj sistemeve të inteligjencës artificiale. Normalizimi i një stili të ashpër të komunikimit me AI mund të ndikojë negativisht edhe në komunikimin ndërnjerëzor dhe përdorimet e kësaj teknologjie në mësim, punë dhe jetë të përditshme.
OpenAI tha se do të fillojë të shfaqë reklama në ChatGPT për disa përdorues amerikanë, duke rritur përpjekjet për të gjeneruar të ardhura nga chatboti me Al, për të financuar kostot e larta të zhvillimit të teknologjisë. OpenAI tha se reklamat do të testohen me përdoruesit në nivelin falas të kompanisë dhe planin me çmim më të ulët Go që tani po e zgjeron globalisht.
Ato do të shfaqen në javët e ardhshme dhe do të jenë të ndara nga përgjigjet e gjeneruara nga ChatGPT. Përdoruesit në nivelet më të shtrenjta Plus, Pro, Business dhe Enterprise nuk do të kenë reklama. OpenAI tha gjithashtu se reklamat nuk do të ndikojnë në rezultatet e ChatGPT dhe se bisedat e përdoruesve nuk do të ndahen me tregtarët.
Aplikacioni ChatGPT për iPhone po përgatitet për një përditësim të rëndësishëm. Zhvilluesit po punojnë për të lejuar integrimin e të dhënave nga Apple Health, që mund t’i japë përdoruesve përvojë më personale dhe ndihmë më të mirë. Në versionin më të fundit të kodit të aplikacionit është parë ikonë e re e “Apple Health”, si dhe referenca që tregon se ChatGPT mund të ketë qasje në të dhënat për aktivitetin, gjumin, ushqimin, frymëmarrjen dhe faktorë të tjerë shëndetësorë me qëllim që të ofrojë rekomandime dhe përgjigje më të përshtatura për secilin përdorues.