Studimet tregojnë se kur burrat bëhen baballarë dhe kalojnë kohë duke u kujdesur për fëmijët e tyre, niveli i testosteronit ulet mesatarisht rreth 30%. Kjo ndodh sepse tek speciet ku meshkujt kujdesen për pasardhësit, testosteroni i lartë shërben gjatë periudhës së çiftëzimit, ndërsa ulja e tij ndihmon në kujdesin për fëmijët. Një studim i gjatë në Filipine me 624 pjesëmarrës tregoi se burrat me T të lartë kishin më shumë gjasa të bëheshin baballarë, por pas lindjes së fëmijëve niveli i tyre i testosteronit ra ndjeshëm.
Burrat që kalonin më shumë se tre orë në ditë me fëmijët kishin testosteron më të ulët se ata që nuk ishin të përfshirë në kujdes. Këto gjetje tregojnë se tek njerëzit, si dhe tek speciet e tjera, ekziston një balancë biologjike mes çiftëzimit dhe prindërimit. Rikujtojmë, se një studim i fundit raporton se konsumimi i shpeshtë i ushqimeve ultra të përpunuara mund të lidhet me përkeqësimin e shëndetit riprodhues mashkullor, përfshirë uljen e cilësisë dhe numrit të spermatozoideve.
Autorët e studimit theksojnë se dieta me ushqime ultra të përpunuara nuk ndikon vetëm tek pesha trupore dhe niveli i kolesterolit, por edhe tek shëndeti kardiometabolik dhe riprodhues. Madje, efektet negative janë vërejtur edhe kur të dy grupet e pjesëmarrësve konsumonin të njëjtin numër kalorish.
“Studimi ofron dëshmi se konsumimi i ushqimeve ultra të përpunuara është i dëmshëm për rezultatet kardiometabolike dhe riprodhuese, pavarësisht nga sasia e kalorive të marra”, kanë shkruar autorët. Në kërkimin e tyre, shkencëtarët rekrutuan 43 meshkuj të moshës 20–35 vjeç. Secili kaloi tri javë me një dietë kryesisht me ushqime ultra të përpunuara dhe tri javë me ushqime të papërpunuara, me një periudhë tre-mujore ndërmjet për “pastrimin” e organizmit.