Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, njoftoi se personeli ushtarak i moshës 30 vjeç e lart do t’i nënshtrohet kontrollit për mungesën e testosteronit si pjesë e kontrolleve vjetore shëndetësore.
Në një video të publikuar në X e të shoqëruar me mbishkrimin “High-T Department”, Hegseth tha se po autorizon programin e ri të testimit për të siguruar që ushtarakët të kenë nivelet e duhura të testosteronit, në mënyrë që të jenë në gjendjen më të mirë të mundshme fizike dhe operative.
Ushtarakëve që rezultojnë me nivele të ulëta të testosteronit do t’u ofrohet, në mënyrë vullnetare, terapi zëvendësuese hormonale. Për personelin nën moshën 30 vjeç, testimi do të jetë opsional.
Hegseth nuk sqaroi nëse programi i kontrollit do të zbatohet edhe për gratë, të cilave gjithashtu u bien nivelet e testosteronit me kalimin e moshës.
Përdorimi i testosteronit për arsye jo mjekësore, si rritja artificiale e masës muskulore pa recetë dhe mbikëqyrje mjekësore, është rreptësisht i ndaluar në ushtrinë amerikane.
Hegseth theksoi se programi i ri “nuk ka të bëjë me përmirësimin artificial të performancës”.
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, deklaroi se kontrolli i detyrueshëm për mungesën e testosteronit hyn në fuqi menjëherë për të gjithë personelin aktiv dhe rezervistët mbi moshën 30 vjeç.
Sistemi i ri do t’i mundësojë Departamentit të krijojë një bazë të plotë të të dhënave dhe të ofrojë terapi të synuar me testosteron, duke siguruar një forcë ushtarake të shëndetshme, të aftë dhe me gatishmëri maksimale.
I pyetur nëse programi do të përfshijë edhe gratë dhe nëse ato do të mund të vlerësohen për terapi me estrogjen gjatë periudhës së perimenopauzës, Pentagoni deklaroi se nuk kishte komente shtesë përtej deklaratave të Hegseth dhe Parnell.
Dr. Mohit Khera, profesor i Urologjisë në Kolegjin e Mjekësisë Baylor deklaroi për BBC-në se të gjithë burrat mbi moshën 30 vjeç duhet të kontrollohen, pasi testosteroni është një nga treguesit kryesorë të gjendjes aktuale dhe të ardhshme shëndetësore.
Megjithatë, paralajmëroi se testosteroni nuk duhet të përshkruhet vetëm mbi bazën e një analize laboratorike.
Sipas tij, terapia zëvendësuese me testosteron mund të rrisë masën muskulore, të ulë depozitimin e yndyrës, të zvogëlojë rrezikun për depresion dhe me kalimin e kohës, të përmirësojë dendësinë minerale të kockave.
Megjithatë, ai theksoi se kjo terapi nuk është e përshtatshme për të gjithë.
Nëse të rinjtë marrin testosteron, mund t’i bëjë jopjellorë. Prandaj duhet pasur shumë kujdes, sidomos te personat në moshë riprodhuese, që duhet të informohen për këtë rrezik.
Muajin e kaluar, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) kërkoi heqjen e disa paralajmërimeve mbi etiketat e produkteve të terapisë me testosteron dhe propozoi lehtësimin e kufizimeve për përshkrimin e këtyre preparateve.