Në Irlandën e Veriut, qyteti Derry shndërrohet çdo fund tetori në një skenë madhështore festimesh, duke pritur festivalin më të madh të Halloween-it në Europë.
Kjo ngjarje shumëditore është një rikthim në rrënjët e lashta të festës keltike të Samhain-it, traditës që shënonte fundin e verës dhe fillimin e dimrit, një periudhë ku, sipas besimeve të lashta, bota e të gjallëve dhe e të vdekurve afrohej më shumë se kurrë.
Sot, kjo trashëgimi shpirtërore është kthyer në një festë të jashtëzakonshme që mbush rrugët e Derryt me dritë, muzikë dhe qindra mijëra vizitorë nga e gjithë bota.
Qyteti i dytë më i madh në Irlandën e Veriut, i njohur edhe si Londonderry, është një vend i ngarkuar me histori, kulturë dhe simbolikë – nga muret e lashta 400-vjeçare deri te fama moderne që i dha seriali “Derry Girls”.
Por në fund të tetorit, ai transformohet plotësisht: çdo rrugë, shesh dhe cep i qytetit gjallërohet nga parada, performanca, shfaqje me drita dhe fishekzjarre spektakolare mbi lumin Foyle.
Festivali i Derry Halloween, që sivjet mbahet nga 28 deri më 31 tetor, përfshin katër ditë plot energji dhe kreativitet. Aktiviteti më i pritur mbetet Parada Karnavaleske e 31 tetorit, “zemra e festivalit”, ku mijëra njerëz, të veshur me kostume nga më të çuditshmet e më artistiket, ecin nëpër rrugët e qytetit nën tingujt e baterive, dritave dhe muzikës.

Spektakli përmbyllet me një shpërthim fishekzjarrësh që ndriçojnë gjithë qytetin dhe rrjedhën e lumit, duke e kthyer natën e Halloween-it në një kujtim të paharrueshëm.
Përveç paradës, programi përfshin një sërë zonash tematike përgjatë itinerarit “Awakening The Walled City”. Çdo zonë ofron përvoja të ndryshme.
Përmasat e qytetit e bëjnë të lehtë lëvizjen nga një zonë në tjetrën pa humbur asnjë detaj të festës. Por Derry ofron shumë më tepër se festa e Halloween-it.
Brenda mureve të vjetra të qytetit ndodhet Guildhall, një ndërtesë madhështore neo-gotike e vitit 1887, e njohur për dritaret e saj me xhama shumëngjyrësh që tregojnë historinë e qytetit.

Për një panoramë të veçantë mbi Derry-n dhe lumin Foyle, një shëtitje mbi urën e Paqes është e domosdoshme, një strukturë elegante që simbolizon bashkimin e komuniteteve dikur të ndara.

Në fund, asnjë vizitë në këtë qytet nuk do të ishte e plotë pa përjetuar kulturën e pubeve lokale. Muzika live, një pint birrë dhe atmosfera e ngrohtë e bareve tradicionale si Dungloe, Tinneys apo Tracy’s janë mënyra perfekte për të mbyllur një ditë plot ngjyra, ritëm dhe legjenda./shqip.al