Nëse Senati amerikan miraton ligjin e ri, të rinjtë e moshës 15 vjeç do të mund të drejtojnë ligjërisht një makinë në rrugët publike. Projektligji u prezantua në fillim të janarit dhe këtë javë Komiteti i Transportit e miratoi dhe e dërgoi në Senat. Senatorët pritet të shqyrtojnë dhe votojnë propozimin javën e ardhshme dhe nëse e kalojnë, ligji do të hyjë në fuqi menjëherë. Sipas ligjit aktual të Kentuckyt, adoleshentët mund të marrin një patentë të përkohshme në moshën 16 vjeç, e cila u lejon atyre të drejtojnë me një të rritur të pranishëm. Pas 180 ditësh, ata mund të kalojnë në një patentë të përkohshme me kufizime dhe në moshën 17 kanë të drejtë për patentë shoferi të plotë.
Megjithatë, ligji i ri do t’i lejojë shoferët të marrin një licencë bazë të përkohshme në moshën 15 vjeç, duke e sjellë Kentucktyn në përputhje me shtetet fqinje Tennessee dhe West Virginia. Gjithashtu, shoferët mund të marrin një patentë të plotë që në moshën 16 vjeç e gjysmë. Për të marrë një patentë, adoleshentët duhet të kenë 60 orë vozitje, duke përfshirë 10 orë gjatë natës. Më e rëndësishmja, ata nuk duhet të drejtojnë makinën pa praninë e një të rrituri që është të paktën 21 vjeç dhe me patentë shoferi të plotë.
Mbështetësit e ligjit argumentojnë se ngasja e makinës më herët do t’u japë të rinjve më shumë përvojë në rrugë përpara se të marrin një patentë të plotë, gjë që mund të zvogëlojë numrin e aksidenteve rrugore. Ata përmendin edhe përfitimet ekonomike. Rikujtojmë se shoferët në Mbretërinë e Bashkuar së shpejti do të jenë në gjendje të ruajnë dhe përdorin patentat e tyre të drejtimit në telefonat e tyre si pjesë e planeve të qeverisë për të lançuar një aplikacion të ri për telefona. Aplikacioni Gov.uk, i cili do të prezantohet këtë vit, do të ruante në mënyrë të sigurt detajet e patentës dhe do t’i lejonte ato të përdoren si një formë identifikimi për blerjen e produkteve të kufizuara sipas moshës, duke përfshirë alkoolin, votimin ose udhëtimin në fluturimet e brendshme.