Bota

Në vendin ku Rolex nuk mbahet në dorë por hahet!

Në Uganda, fjala “Rolex” nuk lidhet vetëm me orët luksoze zvicerane për miliona njerëz ajo nënkupton një nga ushqimet më të dashura të rrugës në vend. “Tek ne nuk e mbajmë Rolex-in në dorë. Ne e hamë atë”, thotë Emmanuel Jonathan Okello, pronar i restorantit The Rolex Guy. “Rolex”-i ugandez përgatitet me një petë chapati në stil indian, të mbushur me omëletë të hollë, perime dhe përbërës të tjerë, e më pas rrotullohet si wrap. Sipas Okellos, emri vjen nga shprehja “vezë të mbështjella” që me kalimin e kohës u shndërrua në “Rolex”.

Chapati u soll në Uganda nga indianët që britanikët kishin sjellë për ndërtimin e hekurudhave në fillim të shekullit të kaluar. Ushqimi indian u bë veçanërisht popullor në rajonin Busoga, pranë kufirit me Kenian, dhe ugandezët e përshtatën chapati-n sipas shijes së tyre, duke e bërë më të butë dhe me skaje më krokante. Ajo që nisi si ushqim i lirë për punëtorët në lindje të vendit u përhap në të gjithë Ugandën, duke hyrë në tregje, kafene moderne dhe madje edhe restorante luksoze në vende të tjera.

Popullariteti i madh i “Rolex”-it u shty kryesisht nga studentët universitarë. Në rrugë, një Rolex kushton rreth 20 centë amerikanë, mjaftueshëm i lirë dhe i ngopshëm për studentët. Okello u frymëzua ta çonte këtë ushqim në një nivel tjetër pas një vizite në qytetin turistik Jinja, pranë burimit të lumit Nil, ku provoi një version me mish të skuqur.