Aktualitet Politikë

Negociatat në hapin tjetër/ Raporti për Shqipërinë: Korrupsioni ‘shqetësim thelbësor’, sulmet ndaj SPAK ‘në rritje dhe shqetësuese’!

Ecuria e Shqipërisë, varianti final i draftit, i dakordësuar mes shteteve anëtare në COELA, është dukshëm më i ashpër dhe më politik sesa drafti fillestar i Komisionit Europian. Varianti final vendos fokusin jo më te progresi i Shqipërisë, por te kushtet konkrete që duhet të përmbushen për mbylljen e Kapitullit 1, që lidhet me themelet e shtetit të së drejtës. Shtetet anëtare kanë forcuar ndjeshëm gjuhën për korrupsionin dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë. Për herë të parë, SPAK përmendet specifikisht në dokument dhe shoqërohet me shqetësimin për “sulme të shtuara dhe shqetësuese”, përfshirë edhe në nivele të larta politike. Ndryshe nga drafti fillestar, ku BE kërkonte në mënyrë të përgjithshme shmangien e ndërhyrjeve ndaj drejtësisë, në variantin final theksohet qartë nevoja për mbrojtjen e SPAK-ut dhe respektimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë.

Dokumenti vlerëson rezultatet e SPAK-ut dhe gjykatave të posaçme në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë, por paralelisht nënvizon se korrupsioni mbetet i përhapur në administratë, pushtetin vendor dhe sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë. Madje, në gjuhën diplomatike të BE-së, korrupsioni nuk cilësohet më si “shqetësim serioz”, që mund të interpretohet si një sinjal i fortë politik nga Brukseli.

Ndërhyrjet parlamentare në proceset hetimore të SPAK-ut evidentohen veçanërisht në draftin final, së bashku domosdoshmërinë për të respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke iu referuar këtu indirekt imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku, të cilën mazhoranca e mbrojti me forcën e kartonëve.

Për herë të parë në një dokument të tillë për Shqipërinë, përmenden edhe “rrjetet patronazhiste”. BE kërkon uljen e ndikimit të tyre, ndalimin e keqpërdorimit të burimeve shtetërore dhe garantimin e një “fushe loje të barabartë” në zgjedhje.

Një tjetër pikë sensitive lidhet me çështjen e pronave, ku teksti final përfshin referenca për problematikat në zonat bregdetare, shpronësimet dhe mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve. Ndërkohë, shtohen edhe kërkesa specifike për garantimin e të drejtave të minoriteteve dhe arsimit në gjuhën e tyre.

Gjithashtu, shtohen kërkesa më të forta për respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, transparencën e ndërmarrjeve shtetërore, reformën në polici dhe mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve.

Në tërësi, dokumenti final tregon se shtetet anëtare të Bashkimit Europian kanë zgjedhur një qasje më të fortë dhe më kushtëzuese ndaj Shqipërisë, duke kërkuar jo vetëm reforma në letër, por rezultate konkrete në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e institucioneve demokratike.

Ndryshimet kryesore përfshijnë:

(1) SPAK-u përmendet dhe mbrohet në mënyrë eksplicite — sulmet politike cilësohen si “në rritje dhe shqetësuese, përfshirë në nivele të larta”;

(2) Korrupsioni ngrihet nga një shqetësim “serioz” në një shqetësim “thelbësor” — një gjuhë pranë vijës së kuqe;

(3) Rrjetet patronazhiste përmenden për herë të parë si problem i qeverisjes zgjedhore;

(4) Ndërhyrja parlamentare në hetimet në vijim të SPAK-ut trajtohet specifikisht;

(5) Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe respektimi i standardeve të Komisionit të Venecias për imunitetin janë kushte për mbylljen e Kapitullit 1.

(6) Abuzimet me pronat lidhen me zonat e pakicave dhe zonat bregdetare; përmenden shpronësimet pa kompensim të drejtë;

(7) Integriteti i policisë, autonomia e pushtetit vendor dhe transparenca e ndërmarrjeve shtetërore kthehen në kërkesa specifike dhe të matshme;

(8) Benchmark-u për kriteret ekonomike zgjerohet nga një fjali e vetme në një kërkesë me shumë kushte.