Aktualitet

IBAR miratohet nga COELA pas muajsh bllokimi, çfarë pengoi raportin kyç për negociatat me BE! (DETAJE)

Raporti i ri i IBAR për Shqipërinë ka sjellë një ton shumë më kritik nga Bashkimi Europian ndaj qeverisë shqiptare dhe institucioneve të shtetit. Ndryshe nga drafti i parë i përgatitur në shkurt 2026, ku theksohej progresi i vendit në procesin e integrimit, versioni përfundimtar i majit përmban formulime më të ashpra dhe kushte më konkrete.

Për herë të parë, në dokument përmendet drejtpërdrejt SPAK-u dhe shprehen shqetësime serioze për ndërhyrje politike në sistemin e drejtësisë. Bashkimi Europian evidenton përpjekje të zyrtarëve dhe politikanëve të niveleve të larta për të ushtruar ndikim të padrejtë mbi institucionet e drejtësisë, duke e konsideruar këtë një problem të rëndë për funksionimin e shtetit ligjor.

Një tjetër çështje e ndjeshme lidhet me rolin e Parlamentit dhe trajtimin e rasteve të hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë. Raporti kërkon respektim të standardeve europiane për heqjen e imunitetit dhe përmend rekomandimet e Komisionit të Venecias. Po ashtu, shprehet kritikë ndaj vendimeve të mëparshme të Kuvendit për të penguar ose mos mbështetur procedurat hetimore ndaj figurave politike.

Edhe gjuha për korrupsionin është ashpërsuar dukshëm. Në vend që të cilësohet thjesht si “shqetësim serioz”, korrupsioni përkufizohet tashmë si një “shqetësim vendimtar”, formulim që në gjuhën diplomatike të BE-së konsiderohet ndër më të fortët.

Raporti prek gjithashtu fenomenin e “rrjeteve të patronazhit”, duke kërkuar masa konkrete kundër përdorimit të administratës dhe burimeve shtetërore për interesa politike. Shqetësime të tjera lidhen me sektorin e ndërtimit, tregun e pasurive të paluajtshme, mungesën e transparencës në ndërmarrjet publike, problemet e pronësisë në zonat bregdetare, si edhe çështjet e integritetit dhe rotacioneve në polici.

Në përfundim, dokumenti tregon se disa vende anëtare të Bashkimit Europian po kërkojnë standarde më të forta dhe rezultate më konkrete nga Shqipëria përpara hapave të mëtejshëm në negociatat e integrimit. Krahasuar me draftin fillestar, versioni i majit shihet si dukshëm më kritik dhe më kërkues ndaj institucioneve shqiptare dhe qeverisë.