Mjekët thonë se ka një gjë shumë të rëndësishme që duhet të bëni kur hyni në dhomën e një hoteli. “Kur hyj në një dhomë hoteli, zakonisht e lë bagazhin te hyrja ndërsa bëj një kontroll të shpejtë për insekte shtrati,” thotë dermatologia Dr. Brianna Olamiju. “Po, është e vërtetë, këto insekte të vogla mund të fshihen nën çarçafët e bardhë, të pastër të krevatit. Më mirë vendoseni menjëherë valixhen në vaskë ose mbi një sipërfaqe me pllaka dhe më pas kontrolloni mirë dyshekun, pjesët anësore, kokën e krevatit dhe mobiliet me një elektrik për gjurmë apo njolla të errëta,” shpjegon Dr. Kefah Al-Ramahi.
Insektet e shtratit mund të shihen me sy të lirë, janë rreth madhësisë së një fare molle, por shpesh dallohen nga shenjat që lënë pas, si pika të vogla të zeza, lëkura e hequr apo njolla gjaku në çarçafë. Këto zakonisht gjenden përgjatë qepjeve dhe këndeve të dyshekut, por mund të fshihen edhe në prize, pas letër-murëve të liruar apo në qoshe muresh. Fatkeqësisht, gjatë ditës janë të vështira për t’u dalluar, pasi dalin kryesisht natën. Prandaj rekomandohet një kontroll i dytë në mbrëmje. Nëse gjeni shenja të tyre, kërkoni një dhomë tjetër larg asaj të parës, jo ngjitur apo sipër/poshtë saj, ose madje ndryshoni hotelin, në varësi të situatës.
Ndërkaq, udhëtarët që preferojnë të lëvizin vetëm po ndajnë online një këshillë që është vlerësuar si e dobishme nga shumë përdorues, rezervimin e dhomës për dy persona, edhe kur qëndrojnë vetëm. Sipas tyre, kjo zgjedhje mund të sjellë më shumë përfitime dhe fleksibilitet gjatë qëndrimit në hotel.
Një udhëtare e ndau eksperiencën e saj në Reddit, duke shpjeguar se në disa zinxhirë hotelesh, si ato të grupit Accor, rezervimi për dy persona mund të përfshijë dy kupona për pije mirëseardhjeje, më shumë opsione për mëngjes dhe benefite të tjera shtesë. “Rezervoj dhomë për dy persona, edhe kur jam vetëm. Në shumë raste kjo jep më tepër fleksibilitet”, shkroi ajo.