Aktualitet

Nesër ndërron ora dhe pak histori: Ja si lindi koncepti i orës verore!

Më 02:00 të mëngjesit të 29 marsit 2026, pra nesër, akrepat e orës shkojnë 60 minuta para. Kjo bën që të humbasim 60 minuta nga gjumi i mëngjesit, duke u zgjuar më herët. Qëllimi i ndryshimit të orës:

Për të përfituar sa më shumë nga energjia diellore si dhe kursimi i energjisë elektrike.

Ora verore zgjat deri të dielën e fundit të muajit tetor, kur akrepat të kthehen 1 orë pas.

Si lindi koncepti i orës verore?

Ishte viti 1907 kur anglezi William Willett paraqiti idenë e “Kohës verore”, në mënyrë që njerëzit të mos i çonin kot orët e çmuara të dritës gjatë mëngjeseve verore.

Willett e mendoi këtë ide, në mënyrë që t’i nxirrte njerëzit nga shtrati më herët, duke e ndryshuar orën. Ai propozoi që ora duhej të shtyhej për 80 minuta në katër hapa progresivë gjatë muajit prill e në të njëjtën mënyrë, gjatë shtatorit. Më pas, Willett e kaloi pjesën tjetër të jetës duke u përpjekur për t’i bindur njerëzit se skema e tij ishte e duhura.

Për fat të keq, ai vdiq nga një grip në  vitin 1915, në moshën 58-vjeçare, një vit para se gjermanët t’i adaptonin planin për të ndryshuar orën, më 30 prill 1916. Jo me 80 minuta, por me 60, kur ora u kthye mbrapa, më 23:00. Më pas, Britania e Madhe ndoqi këtë ndryshim, më 21 maj.

Akti i “Kohës verore” ishte miratuar nga Parlamenti i Britanisë më 1916-ën e më 21 maj 1916 ishte dita e parë e llogaritjes së “Kohës verore”.

Por, nuk ndërrohej gjithmonë për një orë.

Sot, orët vendosen pothuajse gjithmonë 60 minuta prapa ose para, por përgjatë historisë ka pasur disa ndryshime, si gjysmërregullimi me 30 minuta apo rregullimi i dyfishtë me dy orë dhe rregullimet e tjera për 20 e 40 minuta. Një rregullim dyorësh ishte përdorur në disa vende të ndryshme gjatë viteve ’40 të shekullit XX.

Një gjysmërregullim ishte përdorur në Zelandë të Re në gjysmën e parë të shekullit XX. Në Australi, dikur ora shtyhej apo kthehej për 30 minuta.

Prej vitit 1981 u vendos ndryshimi i orës, që përfshin të gjithë Europën, ku në shumë shtete të saj, akrepat lëvizin 60 minuta para. Norma europiane përcakton në mënyrë të qëndrueshme datat e fillimit të periudhës së orës verore, ku akrepat lëvizin 60 minuta para e orës dimërore, kur shkon 1 orë pas.

Ndryshimet bëhen të dielën e fundit të marsit dhe të dielën e fundit të muajit tetor. Ndërrimi i orës ka si qëllim kursimin e energjisë elektrike dhe shfrytëzimin e dritës së diellit. Pas ekuinoksit pranveror, dita fillon të zgjatet dhe kulmin e arrin më 22 qershor, me 15 orë ditë e vetëm 9 orë natë.