Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, mbërriti të premten në ndërtesën ku po mbahet Asambleja e 80-të e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork mes protestash të forta, ndërsa qindra diplomatë u larguan nga salla pak para se ai të niste fjalimin e tij.
Kryeministri izraelit, i cili mbante një hartë gjatë fjalimit, foli për operacionet kundër “rrjetit terrorist të Hamasit” dhe theksoi se, sipas tij, “nuk kemi mbaruar ende me mbetjet e terrorizmit të fshehura në Gaza”. Ai shtoi se Izraeli synon të përfundojë atë që e ka nisur, duke “çmontuar të gjithë rrjetin terrorist të Hamasit”.
Netanyahu rikujtoi në detaje ngjarjet e 7 tetorit, kur sipas tij Hamasi dhe grupet militante kaluan kufirin midis Izraelit dhe Gazës, duke vrarë 1,200 persona dhe rrëmbyer rreth 250 të tjerë. Nga 48 pengjet që mbeten ende në Gaza, ai tha se 20 janë ende gjallë dhe përmendi emra të tyre gjatë fjalimit.
“Lironi pengjet! Nëse e bëni këtë, do të jetoni,” u drejtua Netanyahu drejtpërdrejt ndaj Hamasit, fillimisht në hebraisht dhe më pas duke e përsëritur mesazhin në anglisht.
“Heronjtë tanë të guximshëm, Kryeministri Netanyahu po ju flet drejtpërdrejt nga Kombet e Bashkuara,” tha ai, duke shtuar: “Nuk ju kemi harruar, as për një sekondë. Populli i Izraelit është me ju, nuk do të lëkundemi dhe nuk do të pushojmë derisa t’ju kthejmë të gjithëve në shtëpi.”
Në pjesën përmbyllëse të fjalimit, ai i dha një ultimatum Hamasit: “Lironi pengjet tani. Nëse e bëni, do të jetoni. Nëse nuk e bëni, Izraeli do të ju ndjekë.”
Fjalimi i Netanyahu-t u shoqërua me reagime të ashpra dhe protesta jashtë selisë së OKB-së, ndërsa largimi i diplomatësh gjatë fjalimit tregon ndarjet e thella që fushata ushtarake dhe çështja e pengjeve kanë nxitur në arenën ndërkombëtare.