Bota

Netanyahu: S’ka uri në Gaza, ne do të vazhdojmë të luftojmë deri në lirimin e pengjeve dhe shkatërrimin e Hamasit!

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka mohuar raportet për mungesë ushqimi në Gaza, duke thënë se nuk ka një problem të tillë dhe duke akuzuar Hamasin për vjedhjen e ndihmës humanitare.

“Nuk ka uri në Rripin e Gazës”, tha Netanyahu, duke hedhur poshtë thirrjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund bllokadës dhe raportet për një zi buke.

LEXO EDHE: Konferenca për situatën në Gaza, shefi i OKB-së: Shkatërrimi i enklavës është i patolerueshëm! SHBA dhe Izraelit bojkotojnë takimin!

Sipas ERT, kryeministri izraelit foli për Gazën gjatë një eventi në Jerusalem. Kreu i Zyrës së Besimit në Shtëpinë e Bardhë ishte gjithashtu i pranishëm.

Netanyahu përsëriti pretendimin se Hamasi “vjedh ndihmën humanitare dhe më pas akuzon Izraelin se nuk e ofron atë”. Në të njëjtën kohë, ai u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara “të ndalojnë së justifikuari”, duke pretenduar se ka korridore të sigurta për shpërndarjen e ndihmës.

Deklaratat e tij erdhën disa ditë pasi Izraeli vendosi të heqë disa kufizime për hyrjen e ndihmës humanitare, pas presionit të fortë ndërkombëtar mbi mungesën e ndihmës dhe ushqimit në Gaza.

“Pamja që po paraqitet është se ne po zbatojmë një fushatë për të rritur urinë në Gaza. Çfarë gënjeshtre e hapur. Nuk ka politikë urie në Gaza dhe nuk ka uri në Gaza“, tha Netanyahu.

LEXO EDHE: Reuters: Zjarret shpërthejnë në Turqi, Greqi dhe Shqipëri mes valës së të nxehtit të fortë mesdhetar

Qëndrimi i ri i kryeministrit izraelit vjen menjëherë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se të paktën 63 persona kanë vdekur këtë muaj nga shkaqe të lidhura me kequshqyerjen në Gaza.

OBSH-ja dhe shumë organizata ndërkombëtare humanitare kanë theksuar se bllokada izraelite e ka intensifikuar në mënyrë dramatike krizën humanitare në enklavë.