Bota

Kryeministri izraelit Netanyahu: Regjimi i Teheranit ende mund të rrëzohet!

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu shfaqi shpresën e tij për rënien e regjimit iranian, gjë që do të përfshinte shembjen, “si një skelë”, të grupeve aleate të Iranit në Jemen (Houthis), Gaza (Hamasi) e Liban (Hezbollahu).

A është e mundur? Po. A është e sigurt? Jo.

Këto pohime, ai i bëri në një intervistë të transmetuar dje në mbrëmje në rrjetin televiziv amerikan CBS.

Irani po vazhdon që të mbështesë këto grupe, të cilat po përpiqen të prodhojnë raketa balistike. Ne i kemi zvogëluar ndjeshëm ato, por ende janë të pranishme dhe sërish ka punë për t’u bërë, vuri në dukje kryeministri izraelit.

Duke iu referuar vizitës së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump në Kinë të planifikuar për këtë javë, Netanyahu u shpreh se është në dijeni të mbështetjes së Pekinit zyrtar për arsenalin ushtarak të Teheranit.

Kina po ofron njëfarë mbështetjeje, veçanërisht komponentë për prodhimin e raketave.

Kryeministri izraelit refuzoi që të japë detaje të mëtejshme në këtë drejtim.

Benjamin Netanyahu vlerësoi edhe se vendi i tij merr 3.8 miliardë dollarë (3.2 miliardë euro) ndihmë nga Uashingtoni çdo vit dhe shtoi se dëshiron që ta ulë këtë shumë duke e çuar “në zero”. Kjo në një kohë kur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ngrihen zëra që denoncojnë mbështetjen e administratës për Izraelin.

Unë besoj se ka ardhur koha të mësojmë të ia dalim pa këtë mbështetje ushtarake. Le të fillojmë tani dhe të ecim përpara gjatë dhjetë viteve të ardhshme, ishin deklaratat e Netanyahut.

Më herët, kryeministri i Izraelit paralajmëroi se lufta me armikun akoma nuk ka përfunduar siç duhet, për sa kohë Republika Islamike e Iranit po vazhdon që të mbajë rezerva uraniumi të pasuruar.