Magazine

Nga drejtimi i Ansamblit Popullor te suksesi i “Ku ka si Tirona”, Sokol Marsi mes rrëfimit dhe skenës!

Sokol Marsi, drejtor i Ansamblit Popullor, ishte i ftuar në emisionin “Back to the Beginning”, nën moderimin e Kozeta Kurtit. Gjatë bisedës, Marsi ndau me publikun rrugëtimin e tij artistik, sfidat dhe përgjegjësitë që sjell drejtimi i një institucioni kaq të rëndësishëm për trashëgiminë kulturore shqiptare. Ai foli për rolin e Ansamblit Popullor në ruajtjen dhe promovimin e folklorit, si dhe për projektet dhe vizionin e tij për të ardhmen.

Emisioni u shndërrua në një rikthim tek rrënjët, duke sjellë në vëmendje vlerat autentike të kulturës sonë, përmes një dialogu të hapur dhe frymëzues mes Kozeta Kurtit dhe Sokol Marsit. Së fundmi, shfaqja “Ku ka si Tirona” përmbylli me sukses maratonën e dy netëve të jashtëzakonshme artistike në sallën e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP), duke mbledhur mbi 1 500 artdashës në një festë të madhe kushtuar Tiranës. Me interpretim dinamik, koreografi autentike dhe muzikë tradicionale, “Ku ka si Tirona” dëshmoi edhe një herë rëndësinë e trashëgimisë kulturore si pjesë e identitetit kombëtar dhe rolin e Ansamblit Popullor në ruajtjen dhe promovimin e saj. Përsa i përket rrënjëve, ai kujtoi:

Ansambli bën 62 vite e kusur në gjuhën popullore që jeton. Ka lindur nga artistë të mëdhenj, muzikantë të mëdhenj, nga mjeshtra që patjetër duhet të përmenden si Çesk Zadeja, Tish Dajia dhe të tjerë më vonë Aleksandër Peçi, Agim Krajka dhe shumë të tjerë që kanë ardhur deri në ditën e sotme. Po kështu, edhe në pjesën e koreografisë me profesor Gëzim Kaçeli, Panajot Kanaçi, Agron Aliaj e të tjerë me radhë. Ka qenë një sërë personalitetesh që kanë kontribuar për këtë Ansambël.

Si është për të të jetë në rolin drejtues të kësaj strukture?

Të jesh drejtues i një trupe në ditët e sotme sigurisht që është një obligim shumë i madh sepse le të themi që nëse do të drejtosh një orkestër simfonike, sigurisht që do kesh ato pjesët e drejtimit, të kujdesit, të kurimit të veprave, por në fund të fundit ato vepra nuk mund t’i tjetërsosh.

Artistët e AP interpretuan një repertor të zgjedhur ku ishte përfshirë dhe krijimtaria e Muharrem Gurës si dhe emrave që kanë bërë histori. Në shfaqje kishte edhe artistë të ftuar si Irma Libohova, Armaldo Kllogjeri dhe Greta Zani. “Ku ka si Tirona” shënon jo vetëm një premierë koncertale, por edhe hapjen e ciklit të ri artistik “Thesaret e Shpirtit”. Cikël ky që synon të promovojë trashëgiminë kulturore përmes veprave dhe projekteve të ndryshme që do të pasohen gjatë sezonit artistik 2026.