I ftuar këtë javë në emisionin “Back to the Beginning” me Kozeta Kurtin ka qenë tenori i njohur Klodjan Kaçani, i cili ka zbuluar më shumë detaje nga rrugëtimi i tij në botën artistike, që nga shpërngulja nga qyteti i Vlorës dhe deri tek regjistrimi në Liceun Artistik nga ku nisi gjithçka.
Edhe pse shkolla ishte vendimtare në krijimin e një karriere, talenti i Klodjanit është zbuluar që në moshën 5-vjeçare teksa dëgjonte kolonat zanore të filmave vizatimorë në televizionet italiane. Zëri i tij filloi të pikaste edhe nga mësuesit e shkollës, nga ku e ndihmuan të regjistrohej në konkurse të ndryshme. Shkëndija e tij e parë me operën ka qenë në moshën 10 vjeçare, nga ku filloi të mësonte edhe gjuhën italiane.
Tani që ai ka krijuar rrënjët e tij të forta në këtë profesion, madje edhe jashtë territorit shqiptar, a ndihet ai si në vendin e tij kur kthehet në Shqipëri?
Mund të them që lidhjet me Shqipërinë i kam goxha të forta në sensin që nuk e shoh si stacion, por e shoh si vendin tim. Edhe pse më duhet të iki herë pas here. Ta konsideroj si stacion, por nuk është stacion. Është vendi im ku jam rritur, kur kam jetuar të gjitha llojet e emocioneve, që nuk janë të pakta.
I rritur në një qytet të bukur si Vlora, por me mundësi shumë të pakta për t’u zhvilluar, si ia doli mbanë Klodjani të mbante gjallë dhe ta zhvillonte më tej këtë pasion?
Unë e kam çdo gjë falë familjes që sakrifikoi. Jo investoi, por sakrifikoi. Në moshën 14 vjeçe, unë largohem dhe lë shkollën 8-vjeçare, që ka qenë “Rilindja” në Vlorë, dhe transferohem tek Liceu Artistik. Familjes i thoshin që ‘ky duhet të vazhdojë për kanto’ dhe e kisha dëshirë të vazhdoja për opera. Bëj semestrin e parë të vitit të parë të gjimnazit dhe e ndjeja që diçka mungonte. Nuk ishte ajo që doja. Nuk po merrja atë që unë doja. Nisemi me babin në Tiranë. Ka qenë semestri i dytë në janar, ose shkurt, diçka e tillë. Vijmë në Tiranë për të takuar profesionistët e vërtetë dhe pa njohur e pa ditur vijmë në Akademinë e Arteve. Aty takojmë rastësisht Kastriot Tushën.
Kjo bëri që Klodjani si fillim të bënte çdo ditë rrugën nga Vlora për të ardhur në Tiranë për të studiuar dhe anasjelltas. Më pas, sakrifica e familjes qëndroi edhe në marrjen e vendimit për të shitur shtëpinë dhe për t’u investuar në kryeqytet për të ardhmen e tij në këtë fushë.